U mbajt tryeza mbi transformimin e ekonomisë në Kosovë nga ajo tradicionale në digjitale

12 Nëntor 2021

Me qëllim të trajtimit sa më gjithëpërfshirës dhe strukturor të një teme aq aktuale, sidomos në dekadën e fundit, Kolegji AAB dhe Oda Ekonomike Amerikane, në kuadër të aktivitetit tradicional të Javës Globale të Ndërmarrësisë #GEW2021 #gewkosovo2021, ishin nikoqirë të tryezës së diskutimit, ku panelistët dhe studentët debatuan për temën “Transformimi i ekonomisë në Kosovë nga ajo tradicionale në digjitale. A po ndryshon qasja ndërmarrëse në Kosovë?!”.

Duke e hapur diskutimin lidhur me temën, Dekani Medain Hashani tha se transformimi digjital i referohet aplikimit të teknologjisë informative dhe burimeve digjitale për t’ i kthyer këto burime në modele të reja biznesi.

Arian ZEKA, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, theksoi se digjitalizimi veç të tjerash nënkupton një botë të re të mundësive.

Risitë teknologjike të përhershme dhe globalizimi i biznesit mundësojnë krijimin e një infrastrukture të re të biznesit, e cila me aplikimin intensiv të Teknologjive Informative dhe Komunikuese ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e modeleve të reja të biznesit.

Bizneseve u duhen edhe burimet financiare dhe njerëzore për të transformuar biznesin tradicional duke aplikuar modele inovative të biznesit që janë të bazuara në teknologjitë e internetit, tha Zeka.

Ilir Rexhepi, profesor në Fakultetin Ekonomik, tha se në kuptimin e transformimit digjital, ekonomia e Kosovës ka dallime të theksuara në varësi të natyrës së fushëveprimtarisë, madhësisë biznesore dhe sektorit në të cilin ajo operon.

Në vazhdim të diskutimit të tij, Rexhepi theksoi se menaxhmenti i kompanive kosovare mbi të cilat bie barra e digjitalizimit investon më shumë në zgjidhjet digjitale, se sa në qëndrueshmërinë dhe sigurinë funksionale të platformave të tyre të përzgjedhura digjitale.

Ai e përmbylli diskutimin duke theksuar se ekonomia e Kosovës po transformohet në atë digjitale, më shumë si rezultat subjektiv i domosdoshmërisë dhe vështirësisë së mbijetesës së kohës, se sa si një proces inovativ e objektiv biznesor i mirëplanifikuar strategjikisht dhe i mirëmbështetur institucionalisht.

Albulenë Kastrati, profesoreshë në Kolegjin AAB, potencoi sfidat në Kosovë në kontekst të digjitalizimit ekonomik, si klima e pafavorshme për start-up-e si në aspekt të qasjes në financa (mosfinancimi nga bankat), si në aspekt të mungesës së shkathtësive teknologjike për të lansuar bizneset; digjitalizimi i ekonomisë i bazuar kryesisht në iniciativave private (si ICK, Shkolla Digjitale, StarLabs). Kastrati theksoi edhe mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse shtetërore për digjitalizimin e gjithë ekonomisë dhe mungesën e një strategjie për orientimin e rinisë rreth shkathtësive të kërkuara në treg dhe fushave që sjellin prospekte në punësim, si studimi në fushat STEM.

Profesor Lulzim Shabani, nga ana tjetër në diskutimin e tij trajtoi procesin e digjitalizimit të bizneseve nga disa këndvështrime. “Teknologjitë e reja digjitale frymëzojnë dhe nxisin shfaqjen e kompanive fillestare, të cilat me modele të reja biznesi krijojnë industri të reja dhe i ndryshojnë ato ekzistuese.

Vlerësohet se në dhjetë vitet e ardhshme, 40% e kompanive do të zhduken nga tregu, si rezultat i mosndryshimit apo përshtatjes me tendencat e reja digjitale”.

Melita Ymeraga, themeluese e “Melita & Partners” potencoi një aspekt shumë të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit, ose më saktë barrierën kryesore e cila e pengon procesin e digjitalizimit te bizneset në Kosovë e që është mungesa e shkathtësive digjitale të fuqisë punëtore – burimet njerëzore.

Në fund të diskutimit panelistët iu përgjigjën edhe pyetjeve të studentëve pjesëmarrës të cilat kryesisht kishin të bënin me sfidat e procesit e digjitalizmit nëpër të cilat po kalojnë ndërmarrjet kosovare.

Share: