Në 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ali Podrimja, dhe 40 vjetorit të botimit të kryeveprës ‘’Lum Lumi’’, është vlerësuar kontributi i tij në fushën letrare duke çmuar veprat që ai ka lënë pas.
Në kuadër të Panirit Vjeshtor të Librit në Kolegjin AAB, është përkujtuar një nga kolosët e poezisë Ali Podrimja, derisa nga të ftuarit pati fjalë të mëdha, e mirënjohje për të. Në 40 vjetorin e botimit të kryeveprës së tij ‘’Lum Lumi’’, u vlerësua si mishërim i dhimbjes e sfidave që kishte kaluar shkrimtari, nga interpretues, miq e studiues të veprave të tij.
Profesori i Kolegjit AAB, Bujar Tafa që është marrë me interpretimin e librit poetik “Lum lumi” në librin e tij “Biografemat dhe idiografemat”, e cilësoi si vepër të jashtëzakonshme, duke shtuar se poetët e mëdhenj mbahen mend përmes veprave të tyre. Ai tha se fatin e tij të trishtë Podrimja e bëri të pavdekshëm përmes poezisë. Ndërsa, mikja e Ali Podrimjes e cila po merret me studimin e veprës “Lum lumi”, poetja Naime Beqiraj, tha se me këtë vepër autori kishe krijuar identitetin e vet poetar. E profesoresha e Kolegjit AAB, Ilire Zajmi, kujtoi takimin e fundit me Ali Podrimjen ku kishin marrë pjesë bashkë në festivalin e poezisë, dhe deri te momenti kur poeti u gjend i pajetë. Zajmi tha se si vetëm poetët si Podrimja kanë ditur të jetojnë dhe të vdesin siç vdiq ai.
Aktorët Shkëlzen Veseli dhe Xhejlane Tërbunja, interpretuan disa nga poezitë e veprës “Lum lumi”, të cilat emocionuan të pranishmit.
Shkrimtari Ali Podrimaj, është përjetësuar edhe në Kolegjin AAB, ku në emër të tij çdo vit ndahet çmimi ndërkombëtar për letërsi.