Kolegji AAB ka botuar librin e punimeve të plota të prezantuara në Konferencën shkencore ndërkombëtare “Artificial Intelligence (AI) in the Age of Transformation: Opportunities and Challenges”, e mbajtur më 13 maj 2025 në Prishtinë.
Në këtë publikim janë përfshirë punimet e realizuara nga autorë që vijnë nga Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Afrika e Jugut, India etj.
Temat e trajtuara përfshijnë ndikimin e AI në arsim, biznes, media, siguri, kreativitet, etikë dhe shoqëri, me qëllim të ofrimit të një platforme shkencore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të njohurive dhe përvojave në këtë fushë.
Konferenca është organizuar nga Kolegji AAB, në partneritet me University of New York Tirana, Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Folës kryesor në këtë konferencë ka qenë Prof. Dr. Jürgen Rudolph nga Kaplan Higher Education Academy, Singapore, një autoritet global në fushën e studimeve që ndërlidh AI dhe arsimin.
Përmes këtij botimi, Kolegji AAB kontribuon në diskutimin kritik dhe të domosdoshëm për rolin e inteligjencës artificiale në jetën e përditshme, duke reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë që kjo teknologji sjell në fushën e arsimit dhe industrive të tjera.
Libri ka 190 faqe dhe Komiteti Shkencor i konferencës është përcaktuar për 16 studime të përzgjedhura nga 106 që u prezantuan në konferencë. Libri është i qasshëm falas në format elektronik për të gjithë studiuesit, studentët dhe profesionistët e interesuar për zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale dhe mund të shkarkohet në: https://aab-edu.net/wp-content/uploads/2025/07/Book-of-Proceedings-2_compressed.pdf