Në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është bërë promovimi i librit “Institucionet e Bretton Woods’it dhe Shqipëria” me autor akademik Anastas Angjeli.
Në këtë ceremoni morën pjesën figura të njohura si ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Sh.T Petrit Malaj, ish kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, akademiku Lulzim Tafa, politikanët Hajredin Kuqi, Arsim Bajrami, rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, profesorët Nikollaq Pano, Adrian Civici, Ilir Hebovija dhe tjerë të pranishëm të spikatur nga fusha e ekonomisë.
Prorektorja Venera Llunji e cila moderoi këtë ceremoni, ju uroi mirëseardhje të pranishmve ndërsa tha se ky promovim do shërbej edhe si forum i pasuruar me ide dhe diskutime.
Akademiku dhe profesori Lulzim Tafa, në fjalën e tij të rastit tha se Kolegji AAB është vendi më i përshtatshëm për të promovuar një libër, duke pasur si audiencë studentët e fushës së ekonomisë bashkë me profesorët. Tutje ai ndau përshtypjet mbi librin për të pranishmit dhe vlerësoi rëndësinë që përbën në fushën e ekonomisë, por edhe përtej saj.
Përgëzime për autorin dhe kontributin e tij pati edhe ish kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili shprehu mirënjohje dhe nderimet për këtë vepër të radhës që ka rol të veçantë në ekonomi. Ai tha se libri është një vepër tepër e rëndësishme për të gjithë, që shtjellon çështje të rëndësishme për herë të parë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Sh.T Petrit Malaj, promovimin e librit e cilësoi si një ngjarje të veçantë pasi edhe përmbajtja e tij është ndryshe, ku përfaqësohen elitat e njerëzve që kanë kontribuar në zhvillimin e shoqërisë tonë, në Shqipëri dhe Kosovë.
Profesorët nga Shqipëria Nikollaq Pano, Adrian Civici, Ilir Hebovija ndanë mendimet e njëjta me parafolësit e tyre dhe uruan autorin Angjeli për këtë përmbajtje të gjerë dhe në interes të lexuesve.
Në këtë ceremoni foli edhe autori i librit akademik Anastas Angjeli, ndërsa falënderoi të gjithë të pranishmit për këtë organizim.
“Është nder dhe kënaqësi që në organizimin e Kolegjit AAB unë jam sot i pranishëm bashkë me kolegët e mi, për të prezantuar këtë libër. Të flasësh para një auditori të tillë nuk është e lehtë sepse të gjithë janë autorë librash dhe e dinë sa e vështirë është të përgatisësh një libër”, tha Angjeli ndër të tjera.
Ai gjithashtu përmendi përvojat e tij dhe ndikimin që kishin ato në botimin e këtij libri, bashkë me vëzhgimin e gjendjes ekonomike, financat e shteteve, ekonominë globale, Fondin Monetar Ndërkombëtar etj.
Në fund, Angjeli tha se pret që libri të vlerësohet nga lexuesit dhe të përçohen mesazhet që janë synuar në shoqëri.