Në kuadër të 25 vjetorit të themelimit të Kolegjit AAB, Fakulteti i Psikologjisë vazhdon të zhvillojë aktivitete të rëndësishme për promovimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies psikologjike. Sot, nxënësit e klasës së dytë të British School of Kosovo morën pjesë në një aktivitet interaktiv kushtuar njohjes dhe shprehjes së emocioneve.
Sesionin e udhëhoqi u.d. dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, Arlinda Gashi, së bashku me studenten e psikologjisë, Lirza Mehmeti. Në një atmosferë të ngrohtë dhe mbështetëse, fëmijët patën mundësinë të flasin për emocionet e përditshme, të diskutojnë se si mund të ndihen më mirë në situata të ndryshme dhe të kuptojnë se si mund të ndihmojnë edhe të tjerët kur ata përballen me sfida emocionale.
Ky aktivitet u shndërrua në një përvojë të vlefshme edukative dhe ndërvepruese, duke i ndihmuar fëmijët të kuptojnë më thellë jo vetëm emocionet e tyre, por edhe rëndësinë e kujdesit, empatisë dhe mbështetjes për të tjerët.
Me rastin e 25 vjetorit të Kolegjit AAB, Fakulteti i Psikologjisë po organizon një sërë ngjarjesh që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor te fëmijët dhe të rinjtë, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit jo vetëm në fushën akademike, por edhe në atë shoqërore dhe të komunitetit. Për më shumë se dy dekada, Kolegji AAB është shndërruar në një pikë referimi për cilësinë në arsim në Kosovë, duke ndikuar në zhvillimin e dijes dhe në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme, më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme.