Në një ceremoni solemne të mbajtur në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB, Kolegji AAB nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut ambasadorin William Walker, shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, me motivacionin për kontributin e jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e opinionit publik ndërkombëtar për masakrat dhe krimet e luftës gjatë luftës në Kosovë.
Rektori për shkencë dhe kërkim në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, gjatë fjalimit të tij tha se ambasadori Walker është simbol i lirisë për popullin e Kosovës.
“I nderuar ambasador Walker, AAB është konfirmues dhe promovues i vlerave universale. Vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut dhe mundësitë individuale janë parimet bazë mbi të cilat udhëhiqet AAB, duke investuar në to dhe duke synuar të ndikojë në shoqërinë kosovare për zbatimin më të gjerë të këtyre vlerave. I nderuari ambasador, ju gjithashtu i keni mbështetur fuqishëm këto parime kur më 15 janar 1999 deklaruat se ‘ky është një krim i madh kundër njerëzimit’, dhe identifikuat qartë autorët e masakrës së Reçakut. Në atë kohë kërkuat përgjegjësi për masakrën; megjithatë, ju deklaruat qartë se kryesit ishin forcat qeveritare serbe. Deklarata juaj ishte shpëtimi ynë. Ajo preku ndërgjegjen e botës demokratike. Llogaritjet politike përfunduan. Triumfoi humanizmi. Ju hapët rrugën ndërhyrjes ushtarake humanitare që çoi në rrëzimin e regjimit kriminal që kreu kaq shumë mizori jo vetëm në Kosovë. I nderuar ambasador, populli i Kosovës tashmë ju ka vendosur në simbol të lirisë. Ju e deshët lirinë po aq sa e deshi populli i Kosovës, sepse i deshët parimet universale të të drejtave të njeriut me çdo kusht. Miku ynë i çmuar, ambasadori i madh Walker, në emër të studentëve dhe stafit të AAB, ju lutem pranoni mirënjohjen tonë të thellë për kontributin tuaj të madh për të drejtat e njeriut, për të kujtuar jetët e humbura në mbrojtje të të drejtave universale dhe njerëzimit”, tha prorektori Saliu.
Ai informoi ambasadorin Walker dhe pjesëmarrësit e tjerë në ceremoni për kapacitetet e Kolegjit AAB, duke thënë se ky institucion është investimi më i madh në arsimin e lartë jopublik, i cili vepron në arsim dhe kërkim që nga viti 2002.
Ndërkaq, ambasadori William Walker, pasi mori Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, tha se ishte i impresionuar me hapësirat dhe kushtet që pa në Kolegjin AAB.
Walker tha se në Kosovë, pas 18 vitesh, kanë ndodhur zhvillime pozitive, ku arsimi universitar dhe parauniversitar është ndër arritjet kryesore, si dhe përfaqësimi i grave në të gjitha institucionet e vendit është i rëndësishëm, por, sipas tij, ka ende mangësi.
“Kosova nuk është duke ecur në drejtimin e duhur. Kam qenë këtu dhe kam parë kur është shpallur Dita e Pavarësisë; të gjithë ishin të entuziazmuar kur u nënshkrua deklarata e pavarësisë. Shumë njerëz më kanë thënë: ‘Faleminderit z. Ambasador, tani është radha jonë ta çojmë vendin përpara’. Pritjet kanë qenë të mëdha atëherë, por ende ka shpresë për ta sjellë vendin në drejtimin e duhur. Ajo që më inkurajon është fusha e arsimit; duke parë Kolegjin AAB, duke parë të rinjtë, vazhdoj të them se arsimi universitar dhe parauniversitar është në rrugë të mbarë. Në fushën ekonomike gjërat nuk po zhvillohen si duhet”, tha ndër të tjera ambasadori Walker.
Ai tha se Kosovës i duhet një gjeneratë e re në politikë dhe se Kosova nuk mund të presë gjatë që kjo të ndodhë.
“Gjithmonë kam thënë se këta politikanë duhet të qëndrojnë në politikë 4 ose 5 vjet. Mendoj se Kosova nuk mund të presë më. Njerëz të moshuar si unë nuk duan të presin për periudha të gjata. Nuk dua të vdes pa thënë se kjo është Kosova që kosovarët e kanë dëshiruar”, tha Walker.
Ai këshilloi studentët e Kolegjit AAB të marrin sa më shumë dije në këtë institucion, në mënyrë që të ndërtojnë një Kosovë me themel të fortë dhe të qëndrueshme ndër vite.
Me këtë Çmim për të Drejtat e Njeriut, përveç ambasadorit Walker, është nderuar edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.