Fakulteti Ekonomik në Kolegjin AAB, ka organizuar ligjëratë me të ftuar z. Arton Lena, bashkëthemelues dhe Drejtor Ekzekutiv i WVP Fund Management, e dedikuar për studentët e programeve Bachelor dhe Master.
Ligjërata u realizua në koordinim me profesorëshën Florije Miftari, me temën “Praktikat dhe sfidat e funksionimit të fondeve investive në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë ligjëratës, z.Lena trajtoi detajisht praktikat bashkëkohore të fondeve investive, duke u fokusuar në rolin e tyre në zhvillimin e tregjeve financiare rajonale. Ai prezantoi praktikat më të mira të investimit, mundësitë dhe përfitimet e investimit të kursimeve, me theks të veçantë te investitorët individualë.
Po ashtu, u ndanë përvoja konkrete nga vendet e rajonit, si dhe u diskutuan sfidat kryesore ligjore, institucionale dhe ekonomike me të cilat përballen fondet investive në Ballkanin Perëndimor.
Studentët pjesëmarrës u përfshinë në diskutime interaktive, duke përfituar njohuri praktike mbi investimet në fonde, menaxhimin e portofolios dhe perspektivat e zhvillimit të tregjeve investive në të ardhmen, veçanërisht në Republikën e Kosovës.


