Duke shënuar përfundimin e njërit prej kapitujve jetësor, atë të studimeve, ceremonia e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB ishte një nga përjetimet më emocionuese për ta. Kjo ceremoni nënkuptonte realizimin e ëndrrës të çdo studenti- diplomimin e suksesshëm.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalimin e tij solemn tha se ndihet i lumtur dhe i privilegjuar që është pjesë e një ceremonie kaq madhështore.
“Ky është një moment i veçantë, jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja, miqtë dhe të gjithë ata që ju kanë mbështetur në këtë udhëtim të gjatë dhe të vështirë drejt diplomimit. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri në jetën tuaj, një kapitull që do t’ju sjellë mundësi të reja për të mësuar, për t’u avancuar dhe për të ndikuar pozitivisht në komunitet”, tha rektori Olluri ndër të tjera.
I ftuar special në këtë organizim për t’i motivuar dhe përkrahur studentët për arritjet tyre ishte një nga emrat më të njohur në fushën e biznesit, pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi.
Ai me këtë rast ndau lajmin se në bashkëpunim me Kolegjin AAB, do dhurohen 10 bursa per studime në nivelin master. Ky akt sipas Palushit nënkupton që studentët duhet ta vazhdojnë ëndrrën e tyre dhe të mësuarit.
Ndërsa përfaqësuesi i Unionit Studentor Leon Ramadani, njëherazi student i diplomuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, për studentët foli rreth jetës akademike nga këndvështrimi i tij.
Leoni falënderoi stafin akademik dhe administrativ për ndihmën e pakursyer dhe këshillat që do i shërbejnë gjatë gjithë jetës.
Fundi i ceremonisë u përmbyll ndërsa studentët hodhën kapelat dhe uruan njëri tjetrin për këtë sukses.
Kolegji AAB ju uron të diplomuarve një karrierë plot suksese, mbarësi dhe momente triumfi!