“Emigracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij në shoqërinë bashkëkohore”
Prishtinë: 20.11.2015 - 20.11.2015
Tipi: Konferenca Shkencore Ndërkombëtare
Organizator:
Kolegji AAB, Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe të Shoqatës Sociologjike Shqiptare (SHSSH), në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Sociologjisë (ISA), Forumin Sociologjik të Ballkanit (BSF), Shoqatën e Sociologëve të Kosovës (SHSK), Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), Universitetin Europian të Tiranës (UET), Universitetin “Marin Barleti”, Tiranë (UMB) dhe UNICEF në Kosovë.
Emigracioni ndërkombëtar është shndërruar në një fenomen global dhe pritet të dominojë zhvillimet e ardhshme. Si i tillë ai përbën një ndër temat më të rëndësishme të shkencave sociale e humane: të sociologjisë, ekonomisë, psikologjisë, anthropologjisë, historisë, shkencave politike, shkencave juridike etj., etj. Më se një vit më parë Instituti Shqiptar i Sociologjisë dhe Universiteti AAB i Prishtinës kanë ftuar studiues nga e gjithë bota për këtë konferencë ndërkombëtare ndërdisiplinore, e cila është konferenca e 10-të vjetore ndërkombëtare e tij.
Qëllimi i kësaj konference është:
– nxitja e studimeve mbi shkaqet dhe pasojat e emigracionit ndërkombëtar, njëherësh në vendet e origjinës dhe të destinacionit;
– studimi i ndikimit të migrimit ndërkombëtar në shoqëritë bashkëkohore, ndikimi i tij mbi institucionet sociale, të tilla si: kultura, politika, ekonomia, familja, edukimi, puna, besimi fetar e kështu me radhë;
– shkëmbimi i përvojave të vendeve e rajoneve të ndryshme të botës, bazuar në studimet empirike mbi emigracionin;
– evidencimi i përvojës unike të vendeve të Ballkanit (veçanërisht të Shqipërisë dhe Kosovës), të marra si laboratorë për studimin e migrimit dhe ndikimin e saj në shoqëritë bashkëkohore, gjithnjë në kontekst evropian dhe global;
– ballafaqimi i teorive rreth migracionit të fokusuar në faktorët shtytës dhe tërheqës, mbi aspektet pozitive dhe negative të migrimit në vendet e origjinës dhe vendet e destinacionit, mbi rolin e remitancave në vendet që krijojnë migracion, mbi marrëdhënien dhe ndërvartësinë midis migrimit dhe zhvillimit etj.;
– dialogimi rreth mobilitetit ndërkombëtar të njerëzve, rreth qëndrimeve që variojnë nga çiltërisia e toleranca ndaj emigrantëve në kohë të mira ekonomike, te ngurrimi madje edhe ksenofobia në kohë recensioni, krize, rënie ekonomike;
– diskutimi midis studiuesve të vendeve të ndryshme rreth paradokseve të globalizimit, të lidhura kryesisht me lirinë e lëvizjes së mallrave e kapitaleve, por jo të njerëzve;
– nxitja e debateve mbi korrelacionin e migrimit me trashëgiminë multietnike, mbi diasporën dhe rolin e saj, mbi çështje të tjera të lidhura me migracionin ndërkombëtar, t` tilla si transnacionalizmi, identiteti individual dhe kombëtar, hibridizimi i shoqërive;
– studimi i zhvillimit asimetrik të botës në kohën e globalizimit, i pabarazive brenda shteteve e ndërmjet tyre, dhënia e një përgjigjeje rreth pyetjes themelore: Si të përballojmë një botë të pabarabartë? – debati, përmes 16 Seksioneve Tematike midis studiuesve të shteteve të ndryshme, por edhe të disiplinave të ndryshme të shkencave sociale, në nje konferencë njëherësh ndërkombëtare dhe multidisiplinore.