Debat nga AGK-ja në AAB: Fake news dhe verifikimi i fakteve gjatë pandemisë Covid-19

26 Tetor 2021

Lajmet e rreme dhe verifikimi i fakteve në raportimet e gazetarëve në Kosovë gjatë pandemisë, ishte tema e diskutimit në tryezën e cila u realizua në Kolegjin AAB nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë (AGK), në bashkëpunim edhe me OKB-në në Kosovë (UNKT).

Në këtë debat morën pjesë gazetarë nga mediat e Kosovës të cilët u shpalosën studentëve rastet nga eksperiencat e tyre personale gjatë raportimit të tyre mbi pandeminë Covid-19.

Paneli u udhëhoq nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ndërsa panelistë ishin gazetarët Jehona Zhitia nga RTK, Bujar Vitija nga Gazeta Shneta, Arbreshë Uka nga Klan Kosova, Gentiana Hasani nga RTK-ja dhe Anđelka Ćup nga Euronews.

Dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Hasan Saliu, tha se kjo ishte një mundësi e mirë për studentët e gazetarisë të Kolegjit AAB të cilët dëgjuan eksperiencat profesionale të gazetarëve në kohën e fake news.

“Fakulteti i Komunikimit Masiv mbështeti pa hezitim idenë e AGK-së për këtë temë për shkak të aktualitetit dhe rëndësisë që ka tema, si dhe, për shkak se gjysma e panelistëve janë alumni të AAB-së, të cilët kanë kryer gazetarinë në AAB, kanë bërë emër në mediat e Kosovës dhe tani vijnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre me studentët e institucionit ku edhe vetë kanë studiuar”.

Studentët më pas shtruan disa pyetje panelistëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë me verifikimin e fakteve, mundësisë së sigurimit të fakteve në kohën kur institucionet e vendit nuk kanë qenë shumë transparente gjatë pandemisë si dhe për çështje etike gjatë raportimit të gazetarit.

Ky aktivitet ishte në vazhdën e bashkëpunimit që ka Kolegji AAB me Asociacionit e Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Share: