Në një ceremoni zyrtare në Kolegji-n AAB u zhvillua pranim-dorëzimi i detyrës menaxhuese në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, një nga njësitë më të rëndësishme akademike në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.
Prof. Ass. Dr. Jusuf Qarkaxhija, dekani i deritashëm, ia dorëzoi detyrën ekspertit të AI, Dr. Sc. Arben Ahmetit, i cili tashmë merr rolin e dekanit të ri të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Kolegji AAB. Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri theksoi rëndësinë e këtij tranzicioni për vazhdimin e forcimit të pozitës së fakultetit si lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacion në AI në rajon.
Gjatë takimit u diskutua për vizionin strategjik të fakultetit, përfshirë krijimin e programeve të reja studimore në shkencat kompjuterike, zhvillimin e projekteve të inovacionit digjital, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes akademisë dhe industrisë. Synimi kryesor mbetet lidhja e ngushtë mes fakultetit, studentëve dhe tregut të punës, duke përfshirë industrinë në proceset akademike përmes praktikave profesionale, aktiviteteve të përbashkëta dhe propozimeve inovative që garantojnë një përgatitje cilësore të studentëve për karrierën, me theks të vecantë në AI.
Ky pranim-dorëzim shënon një hap të rëndësishëm për Kolegjin AAB i cili vazhdon të njihet si institucion privat lider në Kosovë për teknologjinë, shkencat kompjuterike dhe inovacionin, duke ofruar standarde të larta akademike dhe duke forcuar reputacionin ndërkombëtar përmes lidhjes së drejtpërdrejtë mes edukimit, kërkimit shkencor dhe industrisë moderne.