“Krijimi i industrisë së filmit në Kosovë” ishte tema e cila u diskutua sot me studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv, me Arben Zharkun, drejtor i Qendrës së Kinematografisë të Kosovës (QKK).
Zharku para studentëve tha se të rinjtë e Kosovës sot kanë mundësi të shumta që të depërtojnë në botë me filmat e tyre dhe se Qendra Kinematografike e Kosovës mbështet bashkëprodhimin ndërkombëtar si filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, dokumentarë dhe bashkëprodhim për filma të metrazhit të gjatë.
“Çdo vit QKK organizon thirrje për subvencionimin e projekteve filmike me metrazh të shkurtër dhe të gjatë artistik, dokumentar, animacion, zhvillimet e skenarit, postproduksion si dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare. QKK gjithashtu bën promovimin e industrisë së filmit të Kosovës në festivalet dhe tregjet më të mëdha të filmit në botë”, tha Zharku.
Ai gjithashtu para studentëve tha se Qendra Kinematografike e Kosovës ju fton për mundësinë e aplikimit në Shkollën e Filmit dhe Televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, si dhe European Audiovisual Entrepreneurs-EAVE, program ky për trajnim profesional, për zhvillim të projekteve dhe organizatë për rrjetëzimin e prodhuesve audiovizuelë.