Jagoda Białota dhe Patrycja Gorzkiewicz nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Lodz në Poloni, kanë qëndruar në Kolegjin AAB në kuadër të shkëmbimit të stafit, ku zhvilluan vizita dhe takime.
Ato takuan rektorin e Kolegjit AAB Blerim Olluri, prorektoren Venera Llunji, Drejtoreshën e Zyrës së Projekteve Ilirjana Geci dhe një pjesë të stafit akademik.
Dy zyrtaret realizuan prezantime të Universitetit Lodz, për t’i informuar stafin e Kolegjit AAB rreth institucionit të tyre dhe programeve që ofrojnë.
Një nga takimet që Białota dhe Gorzkiewicz zhvilluan ishte edhe me Unionin Studentor të Kolegjit AAB. Në këtë takim u fol për përfaqësimin e studentëve nga unioni, planet për të ardhmen dhe aktivitetet që priten të zhvillojnë.