Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB organizoi një punëtori akademike të fokusuar në avancimin dhe standardizimin e mëtejshëm të rezultateve të të nxënit dhe strukturës së syllabuseve në nivel lëndesh dhe programesh. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të praktikave kurrikulare dhe forcimit të koherencës ekzistuese ndërmjet objektivave dhe kompentencave te synuara si dhe përmbajtjes mësimore.
Gjatë punëtorisë u trajtua rafinimi i formulimit të rezultateve të të nxënit në përputhje me nivelet kognitive sipas Taksonomisë së Bloom-it, optimizimi i numrit të tyre për secilën lëndë, si dhe thellimi i ndërlidhjes ndërmjet rezultateve, njësive mësimore, metodave të mësimdhënies dhe formave të vlerësimit. Po ashtu, u realizua rishikimi i literaturës bazë dhe shtesë me qëllim ruajtjen e aktualitetit dhe relevancës së përmbajtjes.
Punëtorisë I parapriu një sesion orientues për stafin akademik mbi praktikat më të mira në hartimin e rezultateve të të nxënit dhe strukturimin e syllabusit, duke synuar unifikimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të standardeve akademike në nivel fakulteti.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm institucional, forcimit të standardeve akademike dhe garantimit të një oferte studimore të strukturuar, konsistente dhe të orientuar drejt arritjeve të matshme të studentëve.


