Fakulteti Ekonomik organizon debat për ndikimin e Inteligjencës Artificiale

29 Janar 2025

Fakulteti Ekonomik organizoi debat me temën “Ndikimi i Inteligjencës Artificiale në Hulumtimet Shkencore: Avantazhet, Kufizimet dhe Etika”, me pjesëmarrjen e studentëve të lëndës së Metodologjisë së Hulumtimit, të udhëhequr nga profesoresha Roberta Bajrami. Ky aktivitet kishte për qëllim të eksploronte mënyrat se si inteligjenca artificiale (AI) po transformon procesin e hulumtimeve shkencore, duke ofruar një forum të pasur diskutimesh ndërmjet studentëve dhe profesionistëve.

Në emër të dekanatit, debatin e përshëndeti profesoresha Qendresa Kukaj, e cila theksoi rëndësinë e kësaj teme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve. Ajo uroi që ky diskutim të jetë frytdhënës dhe të kontribuojë në përmirësimin e hulumtimeve të tyre në të ardhmen.

E ftuar speciale në këtë debat ishte znj. Hana Bacaj, Drejtoreshë për hulumtime në UBO Consulting, e cila ndau përvojën e saj në fushën e hulumtimeve shkencore dhe tregoi sesi organizata e saj shfrytëzon teknologjitë më të fundit të AI për analizimin e të dhënave. Përmes një prezantimi interaktiv, ajo demonstroi disa raste praktike të përdorimit të veglave të ndryshme të AI, duke treguar konkretisht se si këto teknologji ndihmojnë në përshpejtimin dhe përmirësimin e procesit të analizës.

Në fund të debatit, si studentët ashtu edhe folësit arritën në përfundime të rëndësishme që Inteligjenca Artificiale e bën procesin e hulumtimit më efektiv, më të shpejtë dhe më pak të kushtueshëm. Megjithatë, u theksua se përdorimi i saj duhet të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar për të ruajtur sigurinë e informacionit dhe për të respektuar çështjet etike të hulumtimit.

Ky aktivitet ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët që të zhvillojnë mendimin kritik dhe të thellojnë njohuritë e tyre mbi mundësitë dhe sfidat që sjell inteligjenca artificiale në hulumtimet shkencore.

Share: