Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Kolegjit AAB dhe Deutschzentrum Kosovo kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të krijuar një program praktike për studentët e gjuhës gjermane.
Kjo marrëveshje, e firmosur nga Dekane Aida Alla dhe bashkethemeluesit e Deutschzentrum Kosovo Arber Xheladini dhe Ilir Lenjani, u mundëson studentëve të fitojnë përvojë praktike në mësimdhënie në filialet e Deutschzentrum Kosovo në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë. Praktikantët do të angazhohen në aktivitete të mbikëqyrura në përputhje me kurrikulën akademike, të mbështetur nga mentorë profesionistë në institucionin pritës.
Në kuadër të këtij partneriteti, Deutschzentrum Kosovo do të ofrojë ambientet dhe mbështetjen profesionale, ndërsa Kolegji AAB do të kujdeset për administrimin akademik dhe përgatitjen e studentëve. Studentët do të mbajnë ditar praktik, do të kenë mentorë dhe do të vlerësohen mbi bazën e angazhimit të tyre gjatë gjithë periudhës së praktikës.
Të dy institucionet angazhohen për sigurimin e një procesi të pandërprerë mësimor. Në përfundim të praktikës, studentët do të pajisen me certifikatë që dëshmon përvojën e tyre praktike.