Fakulteti i Shkencave Kompjuterike përmbylli punimet suksesshëm me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit e trajnimit mbi teknologjinë, organizuar për të tretën herë radhazi në Kolegjin AAB. Certifikimi u bë nga dekani i këtij fakulteti, profesor Jusuf Qarkaxhija.
Ky edicion, mblodhi shumë pjesëmarrës të cilët shprehën interesim në praktikimin e pajisjeve sa i përket fushës teknologjike. Të interesuarit për teknologjinë ishin maturantë, studentë të fakulteteve tjera brenda dhe jashtë Kolegjit AAB.
Maturanti Dardan Krasniqi nga gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, u shpreh i kënaqur nga ligjëratat dhe praktikat e këtij trajnim njëditor në AAB.
“Më ka pëlqy shumë ky trajnim, sidomos pjesa e Arduinove ku kemi mujt me i kriju vet dhe me i pa për së afërmi pajisjet e ndryshme teknologjike, në përgjithësi ishte informativ dhe atraktiv për ne”.
Edhe Bleona Zenelaj studente e Inxhinierisë Kompjuterike, shpjegon për rëndësinë dhe arritjet gjatë këtij workshopi. “Arsyeja që kom marrë pjesë në këtë workshop të organizuar nga Kolegji AAB, ka qenë për shkak të trajnimeve që janë ofru. Intelegjenca artificiale ishte mjaft atraktive dhe më ka ndihmuar në zgjerim të njohurive të reja pasi nuk ofrohet në universitetin tim”.
Ngjashëm Shkelqim Reçica student i Juridikut, pohoi rreth trajnimit duke thënë se: “ Ky trajnim ishte ekperiencë shumë e mirë, ishte informues rreth fushës kompjuterike, dhe më bindi që të ndjek studimet për Shkenca Kompjuterike”.
Në përmbylljen e këtij “Summer Workshop”-i, të gjithë pjesëmarrësit u ndanë tejet të kënaqur, si me stafin akademik, materialet mësimore dhe me kushtet të cilat u ofruan pa pagesë nga Kolegji AAB. Tanimë ky Workshop është shndërruar në traditë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB.