Një tjetër sukses është shënuar nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, ku është përzgjedhur përfitues në njërën nga programet më prestigjioze në mbarë botën ‘’Fulbright Specialist’’ 2022. Ky program që ndërlidhet me fushën e sigurisë kibernetike, është i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. ‘’Fulbright Specialist’’, pritet të sjellë në Kolegjin AAB ekspertë të shumtë nga fusha e sigurisë kibernetike nga SHBA, ndërsa do të menaxhohet nga ligjëruesi në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, Krenar Këpuska.
Disa nga objektivat e këtij programi pritet të jenë:
– Adresimi i sfidave, kërcënimeve dhe sulmeve moderne të sigurisë kibernetike,
-Si të rritet ndërgjegjësimi për sigurinë në internet dhe sigurinë kibernetike,
-Si krijohen politikat dhe procedurat e sigurisë kibernetike nga sulmet kibernetike.
Ndër aktivitetet kryesore të projektit pritet të jenë seminaret me tema të ndryshme të sigurisë kibernetike si: bazat e sigurisë, mbrojtja dhe siguria e rrjetit, kërcënimet dhe dobësitë, menaxhimi i riskut, forenzika kompjuterike, kriptografia, zhvillimi i një karriere në sigurinë kibernetike etj. Ky projekt parashihet të zgjasë 15 ditë, ndërsa datat e mundshme për zhvillimin e këtij projekti do jenë gjatë muajit shtator, tetor dhe nëntor.
Bashkëpunimet, metodat dhe ofrimi i kushteve moderne e bën Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, të jetë shembull suksesi dhe lider në studimet e fushës së teknologjisë.