Java Globale e Ndërmarrësisë, e cila është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e që ka për qëllim të bëjë bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës dhe akterë tjerë, me qëllim zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin, edhe këtë vit do të shënohet me aktivitete të ndryshme në Kolegjin AAB.
Edicioni i sivjetmë i JGN (#GEW2021), që në Kosovë shënohet për të nëntin vit me radhë, në tre degën e Kolegjit AAB do të sjellë 11 evente të ndryshme, disa nga të cilat do të organizohen me partnerët e Kolegjit AAB, si UN Women, Oda Ekonomike Amerikane, ICK, etj..
Në aktivitetin hapës të organizuar në Kolegjin AAB në bashkëpunim me UN Women, në forumin e organizuar me temë “Rëndësia e Javës Globale të Ndërmarrësisë”, morën pjesë ish-presidentja Atifete Jahjaga, zv.ministri i Arsimit Dukagjin Pupovci, koordinatorja për zhvillim në zyrën e OKB-së, Ulrika Richardson, sekretarja e Ambasadës Japoneze në Kosovë, znj.Kurimoto Kay, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci dhe shefja e zyrës së UN Women në Kosovë, znj. Vlora Tuzi Nushi.
Këto personalitete të rëndësishme nga skena publike diskutuan dhe shkëmbyen përvoja dhe zgjidhje për fuqizimin e grave dhe vajzave ndërmarrëse në Kosovë.
Me këtë rast në fjalën e tij përshëndetëse, zv.rektori Shemsedin Vehapi tha se ngjarje si kjo e Javës Globale të Ndërmarrësisë, në Kolegjin AAB, vijnë natyrshëm si pjesë përbërëse e programeve studimore dhe si komponentë e domosdoshme të cilat e mbështesin ndërtimin e kompetencave të studentëve dhe i përafrojnë ato me nevojat e tregut të punës.
“Nga një studim i realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për përfshirjen e grave në akademi, del se Kolegji AAB ka numrin më të madh të grave të përfshira në menaxhment në procesin mësimor. Kjo paraqet një shembull për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë se si duhet të implementohet barazia gjinore”, tha Vehapi.
Në këto dy dekada, ne kemi shënuar një progres të dukshëm sa i përket fuqizimit të rolit të grave në ndërmarrësi dhe të bërjes biznes, tha presidentja Jahjaga, mirëpo sipas saj nëse krahasohen të dhënat statistikore është e domosdoshme të ndërmerren masa të nevojshme për ndryshimin e gjendjes së tanishme që do të inkurajonin gratë të përfshihen në fushën e ndërmarrësisë.
Në mes tjerash në këtë forum diskutimi u tha se angazhimi në sipërmarrje përmes akademisë dhe inovacionit është një nga mjetet më urgjente dhe më efektive për të nxitur përparimin në barazinë gjinore, çrrënjosjen e varfërisë dhe rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse.