Florian Kunushevci, studenti që i raportoi gabimet në faqet e Microsoft, Apple, Adobe e Deutche Telekom

1 Shkurt 2018

Florian Kunushevci është student i dalluar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB. Ky edhe mund të mos jetë ndonjë lajm i veçantë, sepse të gjithë studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë veten në këtë fushë.

Por, Florian Kunushevci është i veçantë sepse ai pavarësisht moshës që ka (18 vjeçar), në komunitetin e shkencave kompjuterike njihet si ekspert i sigurisë kibernetike. Projektet e Florianit, disa herë janë shpëblyer në gara të rëndësishme të kompjuterikës, ndërsa sot ai ka radhitur disa shpërblime e mirënjohje të rëndësishme nga kompani prestigjioze, për raportimet për dobësitë e gjetura në faqet e tyre. Emrin e Florianit sot mund ta gjesh në faqe të njohura si Microsoft, Apple, Adobe, Deutche Telekom, e institucione të ndryshme qeveritare, të cilave iu ka raportuar dobësitë të cilat i kanë pasur faqet e tyre.

Florian Kunushevci, së fundi ishte anëtar i jurisë në garën “Dita kur hakimi është i lighshëm” në kuadër të Konferencës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (Cyber Security and Privacy Confernece) që ditë më parë u mbajt në Prishtinë, duke bërë selektimin dhe vlerësimin e kandidatëve pjesëmarrës nga të gjitha universitetet e kolegjet pjesëmarrëse në këtë garë.

Vlen të theksohet se në garën “Dita kur hakimi është i ligjshëm” edhe grupi i studentëve të Kolegjit AAB, u shpërblyen me vendin e dytë.

Ndryshe, krahas studimeve, Floriani vazhdon angazhimin e tij profesional edhe në kompaninë Gjirafa.com, ku është i punësuar.

Share: