Grupi Tematik i EUA-së mblidhet në Nisë për të avancuar zhvillimin transnacional të stafit nëarsimin e lartë

10 Qershor 2025

Takimi i parë i Grupit Tematik për mësimdhënie dhe mësimnxënie të Asociacioni të Universiteteve Evropiane (EUA), me temën “Zhvillimi i Stafit dhe Bashkëpunimi Transnacional”, u zhvillua më 5–6 qershor 2025 në Université Côte d’Azur në Nisë. Gjatë dy ditëve, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë nga e gjithë Evropa u mblodhën për të ndarë përvoja dhe për të diskutuar qasje institucionale që synojnë
përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky grup funksionon në kuadër të projektit STAFF-DEV, i financuar nga programi Erasmus+ dhe synon të shqyrtojë mënyra të reja dhe sistematike të zhvillimit profesional të stafit akademik në nivel ndërkombëtar. Takimi, i moderuar nga përfaqësues të Universitetit të Linköpingut (Suedi), Ruhr-Universität Bochum (Gjermani) dhe Université Côte d’Azur (Francë), përfshiu diskutime strategjike dhe shkëmbim praktikash. Përfaqësues nga universitete si Warwick (MB), Tbilisi Medical Academy (Gjeorgji), Huelva (Spanjë) dhe Universiteti Politeknik Kombëtar (Armeni) morën gjithashtu pjesë. Rekomandimet do të pasqyrohen në publikim zyrtar të EUA-së dhe do të kontribuojnë në Forumin Evropian për zhvillim te personelit akademik qe do te mbahet ne vitin 2026.
Kolegji AAB u përfaqësua në këtë Grup Punues nga Venera Llunji, Prorektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, dhe Ereza Mehmeti, Zyrtare për Zhvillimin e Projekteve, të cilat patën një rol jashtëzakonisht aktiv gjatë dy ditëve të takimit. Përmes pervojës së tyre, shembujve praktikë, sugjerimeve dhe qasjeve të orientuara drejt zgjidhjes së problemeve, ato dhanë një kontribut të rëndësishëm në diskutimet dhe rezultatet e këtij takimi të parë, duke u vlerësuar si ndër kontribuueset kryesore të grupit. I njëjti Grup Punues do të marrë pjesë edhe në takimin e dytë të planifikuar për shtator 2025.

Share: