Është hapur edicioni i pestë i “Prishtina Arts and Architecture Festival” 2024 (PAAF), në Fakultetin e Arteve të Kolegjit AAB.
Ky festival i cili ka për qëllim promovimin e punës dhe talenteve të studentëve nga Fakulteti i Arteve, edhe këtë vit synon të sjellë krijimtarinë e tyre në pah për të gjithë vizitorët.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në ceremoninë hapëse ka përgëzuar studentët, stafin akademik duke iu uruar punë të mbarë dhe shumë suksese. Ai tha se ky festival është rast i mirë për të nderuar punën e studentëve, si krijues dhe artistë.
“Njëherësh, ky festival na jep mundësinë t’u ekspozohemi diversitetit të kulturave dhe vlerave të ndryshme që shfaqen nëpërmjet artit, arkitekturës, muzikës e modës. Ky është një rast i mirë për të nderuar punën e studentëve tanë, si krijues dhe si artistë, por njëherësh edhe për të festuar sukseset tona si institucioni më i madh i arsimit jopublik në rajon”, tha Olluri.
Dekani i Fakultetit të Arteve Fitim Aliu, në fjalimin e tij tregoi për aktivitetet e shumta që priten të realizohen në kuadër të festivalit si punëtori, sfilatë mode, ekspozita etj.
Ai gjthashtu njoftoi se këtë vit do ndahet çmimi për studentët me punimet më të suksesshme gjatë festivalit, që mban emrin e të ndjerit Shyqri Nimanit, për të nderuar jetën dhe veprën e tij si profesor dhe ish dekan i Fakultetit të Arteve në Kolegjin AAB.
Gjatë hapjes zyrtare të PAAF 2024 pati edhe pika artistike nga studentët në këndim dhe vallëzim, kurse më pas mysafirët vizituan ekspozitat e studentëve për të parë hapësirat e mbushura me veprat e tyre të veçanta.