Hapet Konferenca e 6-të Ndërkombëtare për Shkencën e të Dhënave dhe Aplikacioneve (ICONDATA’24) në Kolegjin AAB

3 Shtator 2024

Sot është hapur edicioni i gjashtë i Konferencës Ndërkombëtare për Shkencën e të Dhënave dhe Aplikacioneve në Kolegjin AAB, e organizuar nga Universiteti Yalova në Turqi, që do mbahet deri me 6 shtator 2024.

Në hapjen e saj rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, falënderoi të gjithë të pranishmit të cilët i njoftoi më hollësisht rreth institucionit dhe rëndësisë që përbëjnë konferenca të tilla.

“Është kënaqësi e veçantë për mua që sot t’ju dëshiroj mirëseardhje në këtë konferencë të titulluar “ICONDATA”, e cila ka bërë bashkë disa universitete turke dhe Kolegjin AAB si mikpritës në këtë bashkëpunim për kërkimin shkencor. Hulumtimi, rrjetëzimi dhe bashkëpunimet në fushën e dijes dhe shkencës janë aktivitetet më sipërore të një universiteti dhe njëherësh aktivitetet më impenjative, por edhe më cilësore për një institucion arsimor. Prandaj Kolegji AAB u kushton rëndësi dhe përkushtim të veçantë këtyre angazhimeve”, tha Olluri.

Kryetari i konferencës Prof. Dr.Murat Gök nga Universiteti Yalova, shprehu falënderime dhe mirënjohje për Kolegjin AAB rreth hapësirës që ka dedikuar për mbajtjen e këtij organizimi. Ai tha se duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të përditshëm teknologjik, shtohet nevoja për të pasur mbledhje, takime dhe konferenca të këtij lloji nga universitetet.  E tërë konferenca është organizuar nga kontributi dhe puna e palodhshme e Engin Melekoglu, profesor në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, njëherit koordinator për mësim.

Konferenca mbështetet nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Isparta, Universiteti Esenyurt i Stambollit, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Sakarya, Universiteti Bilecik Şeyh Edebali dhe Universiteti Muğla Sıtkı Koçman, rektorët dhe përfaqësuesit e të cilëve morën pjesë virtualisht në ngjarje.

Share: