Hapet Konferenca e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore në Ditën Botërore të Shëndetësisë

7 Prill 2025

Në Kolegjin AAB sot ka filluar punimet konferenca e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, që përkon me Ditën Botërore të Shëndetësisë, me titull “Roli dhe sfidat e profesionistëve shëndetësor në përmirësimin e sigurisë së pacientëve: Praktikat klinike, edukimi dhe ndikimi i politikave shëndetësore”. Rektori Blerim Olluri, në fjalën e tij me rastin e hapjes së konferencës vlerësoi rolin e profesionistëve shëndetësor, ndërsa tha se AAB përkushtohet të krijojë një mjedis arsimor që studentët të formësojnë sistemet shëndetësore të së nesërmes.

“Edukimi luan një rol transformues në sigurinë e pacientëve dhe në përsosmërinë e shëndetësisë. Në Kolegjin AAB, ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis arsimor që jo vetëm transmeton njohuri teorike, por edhe zhvillon mendimin kritik, përgjegjësinë etike dhe përvojën praktike. Studentët tanë janë pjesëtarët e shëndetësisë dhe trajnimi i tyre sot do të formësojë sistemet shëndetësore të së

nesërmes”, tha Olluri.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Shëndetësore Idriz Sopjani, ndërsa uroi të pranishmit për fillimin e konferencës, tregoi se synimet dhe diskutimet e saj janë gjithëpërfshirëse.

“Konferenca jonë synon të krijojë një hapësirë të hapur dhe gjithëpërfshirëse për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe praktika të mira nga kontekste të ndryshme profesionale dhe shtetërore. Diskutimet që do të zhvillohen sot përfshijnë qasje multidisiplinare, nga praktikantët klinikë, mësimdhënësit dhe studiuesit, deri tek përfaqësuesit institucional dhe ata që hartojnë politikat shëndetësore”, shtoi Sopjani.

Hapjen e koferencës e përshëndetën edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku dhe nënkryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës Leonora Bakija.

Pas ceremonisë hapëse, pjesëmarrësit vazhduan me prezantimet dhe komentimet e tyre në lidhje me punime të ndryshme përkitazi me temën e konferencës.

Share: