Për të promovuar bashkëpunimin dhe partneritetin midis universiteteve dhe institucioneve nga vende të ndryshme të botës, sot në Kolegjin AAB është hapur zyrtarisht Java Ndërkombëtare e Stafit.
Ky organizim i rëndësishëm shërben për të lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira, ofron mundësi për zhvillim dhe trajnim profesional, promovon mirëkuptimin dhe shkëmbimin ndërkulturor duke përjetuar kulturën, traditën dhe vlerat e Kosovës, si dhe përfshirjen në dialog dhe diskutime rreth perspektivave të ndryshme kulturore.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të gjithë të pranishmit që vinë nga shtete të ndryshme të botës si Lituani, Gjermani, Kroaci, Itali, Moldavi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, Finlandë etj, duke shtuar se kjo javë ka një peshë të madhe për institucionin pasi bën rrjetëzimin dhe lidhjen mes pjesëmarrësve në një kuptim më të gjerë.
“Prania juaj pasuron kampusin tonë dhe përforcon angazhimin tonë për angazhimin global në arsimin e lartë. Shpresoj që koha juaj me ne të jetë e dobishme dhe e paharrueshme”, tha ai.
Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji, mirëpriti të ftuarit ndërsa bëri një prezantim rreth programeve, degëve, studentëve dhe aktiviteteve të Kolegjit AAB prej themelimit.
Të gjithë pjesëmarrësit prezantuan institucionin në të cilin bëjnë pjesë për t’u njohur me dekanët e fakulteteve në Kolegjin AAB.
Java Ndërkombëtare e Stafit do të zgjas deri me datën 17 maj 2024, e cila përfshin prezantime, diskutime, punëtori, takime individuale me përfaqësues të departamenteve të veçanta, ligjërata etj.