Sot është hapur zyrtarisht Java Globale e Ndërmarrësisë, ku nikoqir i kësaj ngjarje madhështore është Kolegji AAB me partnerë ICK. Të ftuar në ceremoninë hapëse ishin ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, përfaqësues nga ambasadat e Japonisë, Kroacisë, Francës në Kosovë, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Inovative në Kosovë (ICK), Uranik Begu dhe Drejtori Ekzekutiv në Odën Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, iu uroi javë të mbarë të pranishmve duke thënë se përzgjedhja që Kolegji AAB të jetë nikoqir i kësaj ngjarje është një nder, pasi është dhënë kontribut për punësimin e mijëra të rinjve në kampuset e Kolegjit AAB në komuna të ndryshme në Kosovë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, në fjalën hyrëse tha se ka shpresë te rinia e Kosovës në zhvillimin e mëtutjeshëm të industries e ndërmarrësisë, pasi ata janë resursi kryesor. Ndërsa, Uranik Begu, drejtor ekzekutiv në ICK- Qendra Inovative në Kosovë, njëherit bashkëorganizator i kësaj jave, tha se është kënaqësi që java globale në këtë vit jubile shënohet në Kolegjin AAB dhe se ka shumëçka për të treguar e krenuar ndër këto vite.
Në fund të hapjes zyrtare u mbajt diskutim mes panelistëve rreth: “Rolit të investimeve Joint venture në zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë’’.
Përndryshe Java Globale e Ndërmarrësisë do të zgjasë nga 14-20 nëntor, çdo ditë do të zhvillohen aktivitete, panele dhe ngjarje që ndërlidhen me ndërmarrësinë.