Java Ndërkombëtare e Stafit – Organizohet tryezë dhe punëtori për institucionet e arsimit të lartë

14 Maj 2025

Gjatë ditës së tretë të Javës Ndërkombëtare, u organizua një tryezë e rëndësishme dhe një punëtori me temë “Ndërkombëtarizimi si një mënyrë për avancimin e arsimit të lartë”. Këto aktivitete të veçanta synuan të thellojnë diskutimet mbi rolin e ndërkombëtarizimit në zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar.

Prorektorja Llunji u fokusua në rëndësinë e integrimit të elementeve ndërkombëtare në proceset akademike, duke përfshirë partneritetet ndërkombëtare, shkëmbimet studentore dhe të stafit, si dhe përdorimin e teknologjisë digjitale për zgjerimin e mundësive arsimore globale. Partnerët ndërkombëtarë po ashtu ndanë përvojat e tyre në këtë aspekt të rëndësishëm.

Pas tryezës, u organizua një punëtori me temën “Qëndrueshmëria në Arsimin e Lartë: Ndërtimi i Institucioneve të Qëndrueshme për një të ardhme globale”, e udhëhequr nga drejtoresha e Zyrës së Projekteve Ilirjana Geci dhe koordinatorja Erëza Mehmeti.

Ky sesion i veçantë u fokusua në zhvillimin e praktikave të qëndrueshme brenda universiteteve, duke trajtuar çështje të menaxhimit të burimeve, ndryshimeve klimatike dhe përgjegjësisë shoqërore. Pjesëmarrësit diskutuan për strategji inovative për të ndërtuar institucione të qëndrueshme që janë në gjendje të përshtaten me sfidat globale të ardhshme.

Gjatë ngjarjeve, u zhvilluan gjithashtu takime me dekanë. Këto takime kishin për qëllim diskutimin mbi implementimin e strategjive të qëndrueshmërisë, përmirësimin e iniciativave për ndërkombëtarizim dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërinstitucionale. Objektivi kryesor ishte forcimi i kapaciteteve institucionale dhe ndarja e përvojave për të ardhmen e arsimit të lartë të qëndrueshëm dhe të globalizuar.

Këto aktivitete në kuadër të Javës Ndërkombëtare tregojnë përkushtimin për të formësuar të ardhmen e arsimit të lartë duke integruar perspektiva ndërkombëtare dhe praktika të qëndrueshme.

Share: