Me qëllim të forcimit të promovimit të bodybuilding dhe fitnesit në rajon, sot në Kolegjin AAB është zhvilluar një takim me kryetarët dhe përfaqësuesit e Federatës së Bodybuilding dhe Fitness të Kosovës (FBBFK) dhe Federata Shqiptare e Bodybuilding.
Takimi u hap nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, e cila bëri një prezantim të hollësishëm rreth institucionit duke theksuar përkushtimin për avancimin e edukimit sportiv dhe fitnesit.
Të pranishëm ishin edhe presidenti i Federatës Shqiptare Rando Kukeli, instruktorët e Fitness Challenge Jurgen Veizi dhe Egli Dankshi, kryetari i FBBFK Fadil Kunushevci, drejtori sportiv Esat Lata, menaxheri i FBBFK Sabri Dragusha, si dhe përfaqësuesit nga Kolegji AAB dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve Fatmir Pireva, koordinatori për cilësi Besim Gashi dhe asistenti Fatbardh Ajvazi.
Diskutimet u fokusuan në strategjitë bashkëpunuese për të promovuar bodybuilding dhe fitnes në Kosovë dhe Shqipëri, me theks në rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në federatat evropiane dhe ndërkombëtare të bodybuilding dhe fitnesit. Këto kanë për qëllim ngritjen e prezencës së sportistëve nga të dy vendet në skenën globale, të mbështetur nga ekspertiza akademike dhe logjistike e Kolegjit AAB.
Jurgen Veizi dhe Egli Dankshi prezantuan konceptin e garave Speedfit dhe Fitness Challenge, duke theksuar potencialin e tyre si ngjarje kryesore në rajon. Këto gara pritet të ofrojnë një platformë të shkëlqyer për atletët për të demonstruar aftësitë e tyre, duke kontribuar në rritjen e reputacionit të vendeve tona në fushën e bodybuildingut dhe të fitnesit.
Si rezultat i bashkëpunimit të Kolegjit AAB me partnerët është Kampionati i Kosovës dhe Shqipërisë në Bodybuilding dhe Fitnes, i cili fillon që nga 29 gushti dhe vazhdon deri më 7 shtator 2024. Organizuar nga FBBFK, kjo ngjarje prestigjioze do të mbahet në Kolegjin AAB në Prishtinë, duke përforcuar pozitën e institucionit si qendër kryesore për promovim dhe avancim të sportit dhe fitnesit në rajon.