Kolegji AAB dhe Komuna e Obiliqit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

27 Qershor 2018

Në vazhdën e nënshkrimit të marrëveshjeve me shumicën e komunave të Kosovës, të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin ndërinstitucional, Kolegji AAB nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi edhe me Komunën e Obiliqit.

Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj marrëveshje të nënshkruar nga zv/rektori i Kolegjit AAB, z. Shemsedin Vehapi dhe kryetari i Obiliqit, z.Xhafer Gashi, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Kryetari Gashi, i cili priti përfaqësuesit e Kolegjit AAB ne zyrat e komunës, falënderoi këtë kolegj për krijimin e mundësisë për bashkëpunim dhe tha se komuna që ai drejton, gjithmonë do të jetë e gatshme dhe do t’u përgjigjet pozitivisht nismave dhe projekteve të AAB-së që janë në të mirë të studentëve të Komunës së Obiliqit.

Në anën tjetër, zv/rektori Vehapi falënderoi kryetarin Gashi për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me Kolegjin AAB, duke i thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje bashkëpunimi të gjejë implementim sa më të suksesshëm.

Prezent në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte edhe drejtori i arsimit në Komunën e Obiliqit, Agim Spahiu.

Kolegji AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Obiliqit, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.

Vlen të përmendet se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumicën e komunave në Kosovë, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

Share: