Kolegji AAB mbajti tryezë informuese për Autizmin dhe përkrahjen psiko sociale të komunitetit të medias

29 Mars 2019

Në prag të ditës ndërkombëtare dhe muajit të ndërgjegjësimit për autizmin, Fakulteti i Psikologjisë dhe Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB dhe Shoqata “Autizmi”, organizuan tryezë diskutimi në temën “Autizmi-mbështetja psiko-sociale nga komuniteti dhe roli i medias”.

Hapjen e kësaj tryeze diskutimi e bëri zv.rektori i Kolegjit AAB, prof.Shemsedin Vehapi, i cili mes tjerash apeloi për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Dekanja e Fakultetit të Psikologjisë Mimoza Kamberi tha se Kolegji AAB vite me radhë ka shprehur gatishmërinë në përkrahjen e iniciativave të marra, qoftë nga studentët e AAB-së apo edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta me organizatën Autizmi, me synim të rritjes së vetëdijesimit se personat me autizëm janë të barabartë me të tjerët.

Ndërsa, ekspertja e terapisë për fëmijët autikë, psikologja Sunita Kurti theksoi se mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. “Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj..

Përpjekjet e mjekësisë botërore ende vazhdojnë të hulumtojnë rreth autizmit”, tha Kurti.

Ajo gjithashtu pati edhe një thirrje që fëmijët autikë duhet t’i mbështesim sot, që të jenë të pavarur nesër. Në aspektin se si mediat në Kosovë trajtojnë këto çrregullime, dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Sinani konstatoi se gazetarët  kanë ndjeshmërinë dhe vullnetin që t’ju japin hapësirë mbulimit të ngjarjeve të cilat kanë rol në ndërgjegjësimin e opinionit publik lidhur me nevojat e grupeve specifike të shoqërisë.

E pranishme për të folur për sfidat që përjeton një nënë me një fëmijë autik ishte Hatixhe Krasniqi. Ajo tha se shoqëria duhet të kuptojë që në mesin tonë ka edhe fëmijë ndryshe.

“Ka fëmijë ndryshe ose edhe të rritur ndryshe, sepse autizmi nuk është sot për fëmijën tim, mirëpo me autizëm ka edhe fëmijë të rritur.

Pavarësisht të gjitha vështirësive që janë, mos i mbani fëmijët të mbyllur, ekspozoni ata, përndryshe nuk do të mund ta vetëdijësojmë shoqërinë, sepse shoqëria nëse vazhdimisht do të shohë fëmijë të tillë në qytet apo kudo qoftë atëherë çdo herë vetëdijësimi do të jetë më i lartë”, shtoi ajo.

Në fund të kësaj tryeze diskutimi u shpërndanë edhe disa mesazhe sensibilizuese për studentët pjesëmarrës të Kolegjit AAB.  

Share: