Kolegji AAB nisi suksesshëm vitin e ri akademik 2018/19

1 Tetor 2018

Me ceremoni solemne Kolegji AAB, në të tre degët e veta, Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë, sot nisi vitin e ri akademik 2018/19, ditë kjo e cila bashkoi mijëra studentë në hapësirat e Kolegjit AAB.

Në manifestimin qendror, të mbajtur në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë, rektori i Kolegjit AAB prof.dr. Lulzim Tafa, u uroi mirëseardhje studentëve të rinj duke i falënderuar që shkollimin e tyre akademik ia kanë besuar AAB-së. Ai theksoi se Kolegji AAB nuk është vetëm institucioni i parë jopublik në vend, por është edhe vendi i cilësisë dhe përgatitjeve të duhura profesionale e akademike.

“Kjo ditë është e rëndsishme  jo vetëm për ju por edhe për të gjithë ne, sepse ju  sot po e filloni një etapë shumë të rëndësishme të jetës suaj. AAB është jo vetëm institucioni i parë i themeluar në Kosovë nga sektori jopublik,  jo vetëm institucioni më i madh, jo vetëm institucioni me shkallën më të lartë të investimeve në fushën e arsimit por edhe institucioni më cilësor në Kosovë dhe më gjërë. Këtë e thonë të gjitha ranglistat ndërkombëtare”, theksoi  rektori Tafa.

Rektori Tafa gjithashtu shtoi se Kolegjin AAB po e bëjnë vendin më adekuat të studimeve studentët e zellshëm, profesorët e përkushtuar si dhe stafi administrativ profesional.

“Çka e bën një institucion cilësor? Atë e bëjnë studentët e mirë, profesorët e mirë, dhe stafi tjetër tenik e administrativ i përkushtuar, e asnjëra nga këto nuk i mungojnë AAB-së”, tha rektori Tafa.

Ai ka theksuar se Kolegji AAB tashmë ka tejkaluar përmasat vendore e regjionale, duke punuar me përkushtim në krijimin e kuadrove edhe për tregun evropian dhe më gjërë.

“AAB po përgatit kuadro për tregun europian dhe kjo është e bukur. Prandaj, unë dua t’ ju porosis se pavarësisht profesionit që ju keni zgjedhur, një gjë ka rëndësi: që profesionit t’ i qaseni me përkushtim e dashuri! Sepse siç e ka thënë edhe Stiv Jobs ”E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që ta doni atë që bëni!””, theksoi rektori Lulzim Tafa.

Rrugëtim të mbarë e të suksesshëm studentëve iu uroi edhe kryetarja e Unionit të Studentëve të Kosovës, njëherësh edhe studente e Kolegjit AAB, Krenare Çerkini, e cila mes tjerash tha se në Kolegjin AAB, shumë të rinj kanë gjetur përgatitjen e duhur akademike dhe profesionale për të vazhduar tutje me profesionet e tyre.

Çerkini tha se si kryetare e USK ka pasur rastin të vizitojë universitete e kolegje nga më të mirat në botë, dhe pa pikë mëdyshje e theksoj se Kolegji AAB i sfidon si për nga cilësia, infrastruktura e kushtet që u ofrohen studentëeve. Ajo theksoi se këtë e ka thënë edhe kryetari i Unionit të Studentëve të Evropes, i cili kishte ndarë këto opinione gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Kolegjin AAB.

Pritje ceremoniale për studentët e gjeneratës së re, sot u organizuan edhe në dy degët tjera të Kolegjit AAB, në Ferizaj e Gjakovë.

Ndryshe, Kolegji AAB ligjëratat për studentët e vitit të parë do t’ i fillojë më datë 8 tetor 2018, ndërsa për studentët e vitit të dytë, të teretë e të katërt, ligjëratat do të fillojnë nga data 2 tetor 2018.

Shëndet dhe suksese të gjithë studentëve në vitin e ri akademik 2018/19!

Share: