Kolegji AAB organizon ceremoni dedikuar 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

15 Shkurt 2025

Në një program ku u ndërthurën arti dhe mirënjohja për të gjithë ata që dhanë kontributin për liri dhe pavarësi, Kolegji AAB ka organizuar mirëpritje të veçantë në një ceremoni për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ambasadorë të shteteve mike si Shqipëria, Mali i Zi, Franca, Japonia dhe Bullgaria, ministra e partnerë të Kolegjit AAB mbushën Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ndërsa ndoqën performanca, deklamim poezie, vallëzim, pika muzikore dhe interpretime tjera të ndryshme nga profesorët dhe studentët.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij përshëndetëse iu uroi mirëseardhje të pranishmve, ndërsa foli për rëndësinë e kësaj dite dhe të ardhmen e Kosovës.

“Sot në këtë ditë të veçantë, ne me respekt dhe përulje kujtojmë çdo vuajtje dhe sakrificë të popullit tonë, të luftëtarëve tanë të UÇK-së, e deri tek ata që vuajtën në burgjet famëkeqe të Jugosllavisë sepse e donin lirinë. Kosova sot është një vend i lirisë, i mundësive dhe shpresës për të gjithë qytetarët e saj. Ne sot shohim me optimizëm përpara, duke forcuar çdo ditë e më shumë themelet e demokracisë dhe të drejtësisë, duke u angazhuar për zhvillim dhe prosperitet për të gjithë”, tha Olluri ndër të tjera.

Ky organizim ishte një dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të Kolegjit AAB për të kujtuar vlerën e lirisë për brezat e ardhshëm, duke mos harruar sakrifiicat e popullit në të kaluarën dhe për të festuar me dinjitet të tashmen.

Share: