Në një ceremoni solemne Kolegji AAB ka ndarë titullin “Profesor Nderi” për profesorin e njohur Dr.Sultan Catto, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shkencë, arsim dhe bashkëpunim akademik ndërkombëtar.
Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, në fjalën e tij tha se profesori Catto përfaqëson një shembull frymëzues të përkushtimit ndaj dijes, dhe shërbimit ndaj njerëzve, si vlera që përputhen me misionin e Kolegjit AAB.
“Sot, teksa e nderojmë Profesor Catto-n me dallimin më të lartë akademik që Kolegji AAB mund të japë, ne e bëjmë këtë jo vetëm për të vlerësuar arritjet e tij të jashtëzakonshme shkencore, por edhe për të celebruar përkushtimin e tij të përjetshëm ndaj avancimit të dijes njerëzore dhe ndërtimit të urave midis institucioneve në mbarë botën”, tha z.Olluri ndër të tjera.
Prof.Dr. Sultan Catto, falënderoi AAB për vlerësimin ndaj tij ndërsa tregoi angazhimin e tij ndër vite në fushën e shkencës, duke shtuar se ndihet i lumtur në rastet kur puna e tij e palodhshme nderohet me titull të lartë akademik si “Profesor Nderi”.
Kolegji AAB në vazhdimësi vlerëson figurat që kanë ndikuar në zhvillimin e dijes dhe shkencës në nivel botëror.
Karriera akademike dhe kontributet e Prof.Dr. Sultan Catto
Sultan Catto ka fituar titullin Doktor (Ph.D.) në Matematikë / Fizikë Teorike nga Yale University. Ka shërbyer si Profesor, si dhe si Zv. Drejtor Ekzekutiv për Programin Doktoral në Fizikë në CUNY Graduate Center (City University of New York). Është Profesor në Baruch College (CUNY) dhe ka qenë hulumtues i bashkëpunues i lidhur me institucione si Columbia University (Henry Krumb School of Mines) dhe Rockefeller University. Kontributet e tij përfshijnë modelime teorike që lidhen me struktura të variuara në fizikën e grimcave — për shembull teoritë kuadër/quark-diquark në bashkëpunim me Feza Gürsey. Puna e tij hulumtuese ka përfshirë tema si: Supersimetria dinamike dhe klasifikimi i mezonëve dhe barionëve; Strukturat oktonionike dhe aplikimet në fizikë; Teoritë gjeometrike dhe forma automorfike në matematikë.

