Konferencë studentore – Komunikimi në kohën e pandemisë Covid-19

31 Mars 2020

Konferencë studentore online organizuar nga studentët e Kolegjit AAB, në bashkëpunim me studentët e Universitetit të Tiranës.

Prishtinë-Tiranë, 13 prill, 2020

Distancimi social dhe izolimi që ka ndodhur si pasojë e pandemisë së sotme, ka goditur të gjithë sektorët e shoqërisë në botë. Shëndeti i njeriut, transporti e ekonomia, janë padyshim sferat më të goditura, krahas thuajse të gjitha sferave të tjera të jetës. Por, i vetmi sektor që nuk u godit për nga intensiteti i përdorimit dhe sasia e produktit, është ai i komunikimit. Në sajë të teknologjisë, internetit dhe kanaleve të ndryshme të komunikimit, fluksi i komunikimit u shtua më shumë se kurrë më parë. Informacioni që ngjall kureshtje të shtuar vjen nga e gjithë bota, shpërndahet në të gjithë botën, ngjall interesim në të gjithë botën dhe, e gjithë kjo, kryesisht në kohë reale. Pandemia e coronavirusit më shumë se kurrë konfirmoi shndërrimin e botës në një fshat global (McLuhan, 1964) online.

Në këtë periudhë izolimi, komunikimi nëpërmjet teknologjisë u pa më i dobishëm se kurrë më parë. Politika sheh nevojën e shtuar që t’i drejtohet publikut për fushatat ndërgjegjësuese të distancimit social. Nëse themi se kemi të bëjmë me shoqëri informacioni e shoqëri komunikimi (Wolton, 2009), ndoshta ky konstatim tashmë është i tejkaluar. Komunikimi i përditshëm nuk është më privilegj i elitave ku informacionmi rridhte nga lart-poshtë në formë ujëvarjeje (Deutsch, 1964). Komunikimi horizontal ndërmjet publikut në hapësirën virtuale transformoi plotësisht gjatë kësaj periudhe konceptin habermasian të hapësirës publike. Informacioni kësaj radhe përveçse qarkullon nga qytetari – te qytetari, përmes rrjeteve sociale, qarkullon madje edhe nga poshtë – lartë. Konstatim më i qëndrueshëm është ai i shoqërisë së rrjetëzuar (Castells, 2009), sepse kjo tani në kohën e izolimit është më e prekshme dhe më e verifikueshme se kurrë më parë. Pra, edhe një “demokraci” online më e theksuar se më parë. Por, demokracia në Kosovë është kujdesur që qytetarëve në kohë izolimi t’u ofrojë një melodramë të cilën e kanë ndjekur nëpërmjet ekraneve televizive, që dëshmohet se televizioni mbetet një dimension kryesor në jetën e përditshme të njeriut (Silverstone, 2003), ku individi ka një videokulturë të përditshme (Buckingham, 2009), ndërsa rrjetet sociale i kanë dhënë një kuptim përditshmërisë dhe jetës së njeriut (Couldry, 2012), e, aq më shumë, tani në kohën e izolimit pandemik.

Frika nga infektimi dhe emocioni që ngjallet nga rritja e përditshme e numrit të atyre që nuk i mbijetojnë pandemisë, ka angazhuar online qytetarët që të shprehin qëndrimet e tyre për mënyrën e përballjes me rrezikun e përbashkët. Nuk kanë munguar mesazhet e solidaritetit, nuk kanë munguar as veprimet dhe komunikimet strategjike për të rritur imazhin dhe reputacionin e individit, organizatës, dikasterit, apo shtetit, në kohë pandemie. Përkundër debateve të brendshme, qeveria në Tiranë me dërgimin e një ekipi mjekësor në krahinën më të goditur aktualisht në botë (Lombardi), siguroi një mbulim të madh mediatik ndërkombëtar për solidarizimin e shtetit të varfër me krahinën më të pasur italiane. 

Por, interneti është gjithashtu një oqean me informacione dhe një mundësi e madhe mashtrimi e perversitetit (Wolton, 2009). Edhe në këto rrethana nuk ka munguar gjuha e urrejtjes për oponentë politikë, propagandë e brendshme dhe e jashtme, diskutime dhe fake news për çështjet që lidhen me armikun vdekjeprurës, për mungesën e solidaritetit, debatet për masat për përballjen me virusin etj. Pra, nga njëra anë kemi vazhdimin e inercisë nga e kaluara për diskutimin e çështjeve në shoqëri, ndërsa nga ana tjetër kemi një angazhim të shtuar qytetar online për çështje publike. E gjithë kjo po ndodh në kohën e kufizimit të lëvizjes, transformimit të formës së arsimimit, transformimit të rutinës së jetës së përdfitshme dhe kur teknologjia e komunikimit duket më e dobishme se kurrë më parë. 

Qëllimi i kësaj konference është që të bëjë bashkë studentët e Kolegjit AAB në Prishtinë dhe të Universitetit të Tiranës (Departamenti i gazetarisë dhe Komunikimit) që të diskutojnë bashkërisht në një platformë online mbi specifikat që ka komunikimi sot në kohën e izolimit global.Për këtë arsye, ftohen studentët e gazetarisë hulumtuese, marrëdhënieve me publikun, diplomaci publike, komunikime ndërkulturore, që të marrin pjesë në këtë konferencë studentore online, duke u përqendruar në temat e mëposhtme, por jo vetëm:

Afatet:  Dergimi i kumtesave/punimeve: deri më 9 prill

Dërgimi i përgjigjeve: 11 prill 

Konferenca online: 13 prill (e hënë), nga ora 14:00.

Kohëzgjatja e një referuesi: 6-8 minuta

Email: [email protected]

Pjesëmarrësit do të marrin udhëzime të tjera nëpërmjet emailit. 

Share: