Mbahet me sukses konferenca e parë online: Komunikimi në kohën e pandemisë COVID-19

13 Prill 2020

Studentët e Kolegjit AAB dhe të Universitetit të Tiranës, kanë përfunduar sot me sukses, konferencën e parë online me temën “Komunikimi në kohën e pandemisë Covid-19”, e cila është e para e këtij lloji në mjediset shqiptare për nga forma, përmbajtja dhe rrethanat e organizimit. Studentët ishin kryesisht të nivelit Master të drejtimit të gazetarisë, komunikimeve dhe marrëdhënieve publike. Ata prezantuan rezultatet nga hulumtimet e tyre disa javore për specifikat e komunikimeve në jetën e përditshme të izolimit global, specifikat e punës së gazetarëve në kohë pandemie në Kosovë e Shqipëri, për komunikimin dhe diskursin politik në kohë karantinimi, diskutuan gjithashtu edhe për fake news në kohën Covid-19 si dhe për transformimin e komunikimit sot. Drejtues i konferencës ishte Prorektori për Shkencë në Kolegjin AAB, prof. dr. Hasan Saliu. Ai prezantojë disa prej pyetjeve kërkimore të hulumtimeve dhe vlerësoj lartë angazhimin e studentëve në organizime si këto.

“Tema e kësaj konference është aktuale jo vetëm për të sotmen por edhe për të nesërmen me shpresë që kjo situatë e krijuar të përfundojë sa më parë. Pyetjet kryesore kërkimore që shtrohen në këtë konferencë janë se si e organizojnë mediat punën e tyre në kohë e izolimit të përgjithshëm, cilat janë specifikat e raportimit në kohë pandemie, si konsumohet produkti mediatik sot nga publiku në kohën e shtimit të fake news-it, cili është roli i teknologjisë në këtë kohë transformimesh të jetës tradicionale etj”, u shpreh Prorektori z. Saliu në hyrje të kësaj konference online.

Ndërkaq Rektori i Kolegjit AAB, z. Bujar Demjaha, uroj të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference, duke theksuar se komunikimi online në këtë faze është tejet i rëndësishëm. Ai foli për sfidat dhe vështirësitë që ka shkaktuar pandemia COVID-19, duke theksuar se Kolegji AAB ka arritur me sukses të i përgjigjet kësaj situate përmes aplikimit të platformave me të sofistikuara online çka e dëshmon edhe kjo konferencë e veçantë.

Pas fjalimit të Rektorit, konferenca u nda në dy panele, të cilat u vazhduan në kohë paralele dhe u drejtuan nga prof. dr. Hasan Saliu dhe prof. dr. Resul Sinani. Studentët që ishin pjesë e konferencës në të ardhmen e afërt do certifikohen për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre përmes hulumtimeve të prezantuara.

Share: