Mbahet ngjarja lansuese e projektit “EDU-LAB” në Kolegjin AAB

25 Mars 2025

Është mbajtur me sukses ngjarja lansuese e projektit “EDU-LAB”, një nismë e financuar nga programi Horizon i Komisionit Evropian, ku Kolegji AAB është ndër 11 partnerët ndërkombëtarë. Në fjalën e tij hyrëse, Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, e cilësoi projektin si një mundësi të rëndësishme për avancimin akademik dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.

“Ne jemi krenarë që Kolegji AAB është pjesë e kësaj nisme të rëndësishme. Ky projekt adreson një prej sfidave më thelbësore me të cilat përballemi sot si institucione akademike dhe si shoqëri: sigurimi i rrugëve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për asimimin, aftësimin profesional dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.”

Në këtë ngjarje, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë nga Znj. Lucia Parducci, Zyrtare e Programit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila foli mbi mbështetjen e BE-së për avancimin shkencor Z.
Aleksandar Chvorostov, Menaxher i Projektit në Institutin “Economica” për Kërkime Ekonomike, prezantoi objektivat, ndikimin dhe pritshmëritë e projektit “EDU-LAB”. Znj. Qamile Sinanaj, Koordinatore Kombëtare për Programin Horizon Europe, ndau informacione mbi këtë program dhe ndikimin e tij në arsimin e lartë në Kosovë.

Ndërsa Prof. Venera Llunji, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kolegjin AAB, theksoi rolin dhe kontributin e Kolegjit AAB në përmbushjen e Misionit të Tretë. Gjatë eventit gjithashtu u prezantua një video promovuese e Qendrës Kërkimore “EDU-LAB”, e themeluar në kuadër të projektit, si dhe u diskutuan paketat e punës të udhëhequra nga Prof. Xhavit Rexhaj, Prof. Arbëresha Qerimi, Prof. Arbërore Bicaj dhe Erëza Mehmeti.

Në vijim, projekti do të fokusohet në implementimin e aktiviteteve që do të ndihmojnë në lidhjen e arsimit me tregun e punës.

Share: