Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB, mbajti takimin këshillimor të radhës me përfaqësues të institucioneve partnere nën moton “Më afër partnerëve, më afër tregut të punës”, me qëllim të shqyrtimeve të sugjerimeve për programin e gjuhës angleze, përgatitjen e studentëve me aftësi që u përshtaten tregut të sotëm të punës, mekanizmat për punë praktike, etj.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Rekrutimeve në EULEX, zyrtarja e lartë për harmonizim gjuhësor në gjuhën angleze pranë Kuvendit të Kosovës, drejtorë nga TranKos Consulting, Translation Center, Britannica Edmond Ramadani, kompania Manaferra, etj.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide të cilat do të reflektohen në planprogramin e ri të gjuhës angleze, nëpërmjet të cilave mund të përmirësohen aftësitë e buta të studentëve në komunikim, kërkim shkencor dhe në shkrim akademik.
Sugjerimet tjera fokusoheshin në numrin e kurseve për shkathtësitë e të folurit në publik, aftësitë prezantuese dhe organizative, zgjerimin e bashkëpunimit për mundësi të punës praktike dhe trajnime në terren, integrimi i aspekteve ndërkulturore në programin e mësimdhënies së gjuhës angleze dhe çështje të tjera që ndërlidhin institucionin me partnerët.
Këto iniciativa synojnë të pajisin studentët me aftësi të plota që janë të nevojshme për suksesin në industrinë ku komunikimi në gjuhën angleze është domosdoshmëri.