Mbylli punimet konferenca shkencore ndërkombëtare me pjesëmarrës nga 21 vende të botës

14 Maj 2025

Me mbi 200 autorë nga 21 vende të botës, dhjetëra panele fizike dhe online, përfundoi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare me titull “Inteligjenca artificiale në epokën e transformimit: mundësitë dhe sfidat”, e cila u organizua nga Kolegji AAB dhe tre partnerë të tjerë universitarë.

Konferenca u moderua nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, e cila theksoi rëndësinë që përbën ky organizim dhe se si të tilla konferenca na bëjnë të qëndrojmë në hap me kohën dhe zhvillimet teknologjike kudo nëpër botë.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, foli për qëllimet e konferencës ndërsa uroi që pjesëmarrësit të kontribuojnë përmes prezantimeve të tyre në rezultate frytdhënëse.

“Konferenca jonë ka një qëllim të qartë: të shërbejë si platformë përbashkuese ku studiues, vendimmarrës dhe profesionistë nga vende të ndryshme të diskutojnë në thellësi, të ndajnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi për të ardhmen”, tha Olluri ndër të tjera.

Në rolin e folësit kryesor në këtë konferencë ishte Drejtori i Kërkimit dhe Mësimit Inovacionit në Akademinë e Arsimit të Lartë Kaplan, Singapor, Jürgen Rudolph.

Ai ndau perspektivat e tij në lidhje me temën e konferencës duke trajtuar raportin e inteligjencës artificale me fusha të ndryshme si me media, biznes, kujdesin shëndetësor, sportin, gjuhësinë dhe kulturën. Gjithashtu z.Rudolph foli edhe për sfidat që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale, ndikimin që ka në profesione, në shëndetin mendor dhe të ardhmen e njerëzimit.

Ilir Kalemaj, profesor në Universitetin “New York” në Tiranë, pjesë e komitetit organizues të konferencës, tha se bashkëpunimi për këtë konferencë ka një peshë të veçantë që në epokën e zhvillimit të hovshëm teknologjik të diskutohen çështje të tilla që kanë efekt të drejtpërdrejtë te secili.

Konferenca vazhdoi punimet në panele fizike dhe online, ku secili nga pjesëmarrësit ofruan prezantime për tema të ndryshme. Në fund për pjesëmarrësit u ndanë certifikata si shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë.

Në këtë konferencë morën pjesë autorë nga: Australia, Belgjika, Brazili, Britania e Madhe, ShBA, Polonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Italia, Kanada etj

Share: