Ministri Arsim Bajrami: “Me standardet e punës kërkimore, Kolegji AAB i përcaktuar për të qenë lider i arsimit jo publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”

20 Prill 2017

Në Kolegjin AAB filluan punimet e dy konferencave shkencore, “Konferenca e 7-të botërore për Inovacion dhe Shkencë Kompjuterike” dhe “Konferenca e 7-të botërore për Hulumtim, Teknologji dhe Edukim”. Këto dy konferenca shkencore u organizuan Fakulteti i Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, në bashkëpunim me Universiteti “Near East” nga Qipro.

Në hapjen e këtyre konferencave, dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, Blerta Prevalla – Etemi, e cila tha se këto konferenca kanë për qëllim të bëjnë bashkë të gjithë hulumtuesit nga fusha e shkencave kompjuterike, inovacionit dhe teknologjive të aplikuara në edukim.

“Kjo arenë hulumtuese do të shërbejë si urë lidhëse për projektet e ardhshme të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe ngritjes së cilësisë së arsimit dhe punës kërkimore shkencore”, tha dekanja Prevalla – Etemi.

Ndërsa, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi në fjalën e tij tha se kjo ngjarje që po organizohet nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB dhe Universitetit “Near East” nga Qipro, është një mundësi e mirë për të ofruar mundësi për të eksploruar fushat e bashkëpunimit dhe për të krijuar partneritete në nivel kombëtar dhe rajonal.

“Për një dekadë e gjysmë që nga themelimi, Kolegji AAB është shndërruar në një qendër të rëndësishme akademike në Kosovë dhe jashtë saj. Kolegji AAB rregullisht organizon konferenca shkencore me qëllim të diskutimit të çështjeve që shtrihen para nesh, drejt një Evrope të integruar”, tha zv.rektori Vehapi.

Zv.rektorit Vehapi shtoi se temat e këtyre konferencave janë mjaft aktuale dhe se kanë një rëndësi të veçantë.

“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është një mjet i rëndësishëm për ta bërë arsimin më të qasshëm për të gjithë, për të mbushur boshllëqet e arsimit, si dhe për të rritur cilësinë dhe standardet e arsimit”, theksoi zv.rektori Vehapi.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, duke vlerësuar lartë organizimin e këtyre konferencave,  tha se këto konferenca janë një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për këtë kolegj, por për tërë përpjekjet e vendit për ta ngritur nivelin dhe standardin e punës kërkimore – shkencore.

“Uroj Kolegjin AAB për këtë aktivitet, i cili tregon se ky kolegj është i përcaktuar për të ndërtuar standardet e punës kërkimore dhe për të qenë lider i arsimit jo publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Pikërisht, kjo është ajo që duhet për të gjitha institucionet arsimore në vend. Sa më shumë konferenca ndërkombëtare, sa më shumë debate, sa më shumë pjesëmarrje ndërkombëtare, në këtë mënyrë e afirmojmë kapacitetin tonë për t’u kyqur në rrjedhat ndërkombëtare të punës dhe kërkimit shkencor. Jam jashtëzakonisht i lumtur si ministër që keni përzgjedhur dy tema shumë të rëndësishme të kësaj konference. Këto tema janë tema globale që po diskutohen kudo, sfidat e përdorimit të teknologjive të reja në sistemin e edukimit, tema të cilat janë kruciale për t’u ballafaquar me sfidat e revolucionit teknologjik dhe digjital, që po ndodh në aspektin global”, tha ministri Bajrami.

Ai tha se për këto sfida kanë diskutuar edhe në takimin e forumit botëror të ministrave të arsimit.

“Kjo është një temë e cila do të na mësojë neve që teknologjitë e informacionit t’ i përdorim si një instrument shumë të rëndësishëm për ta ndërruar mentalitetin e tërë shoqërisë si tërësi, por edhe mentalitetin e qasjes në edukim dhe qasje në hulumtime shkencore. Për ne si Ministri, kjo ka një rëndësi kruciale sepse jemi në një proces tranzicioni të kalimit nga një sistem ndoshta pak klasik i edukimit çfarë e kemi pasur viteve të kaluara në një sistem modern. Te një tranzicion normal, teknologjia e informacionit është një instrument i rëndësishëm edhe për ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor”, tha ministri Bajrami.

Minsitri Bajrami tha se është i sigurt se nga kjo konferencë do të ketë përfitime shumë të rëndësishme, jo vetëm për hulumtuesit dhe kërkuesit që do t’i botojnë në revistat që kanë impakt botëror, por do të kenë rëndësi edhe për politikbërësit.

Ndërkaq, dekani i Departamentit të shkencave kompjuterike në Universitetin “Near East”, Hüseyin Uzunboylu, që është bashkë organizator i kësaj konference, tha se për të është nder i veçantë që së bashku me Kolegjin AAB, kanë bashkuar një komunitet shkencor pothuajse nga të gjitha vendet e botës.

“Jam i nderuar që jam pjesë e këtij grupi shkencor nga të gjitha vendet e botës. Vizioni ynë për këto dy konferenca është që të kontribuojmë në avancimin e njohurive në shkencat kompjuterike dhe edukimin në teknologjinë informative”, tha dekani i Universitetit “Near East” nga Qipro, Hüseyin Uzunboylu.

Punimet e “Konferencës së 7-të botërore për Inovacion dhe Shkencë Kompjuterike” dhe “Konferencës së 7-të botërore për Hulumtim, Teknologji dhe Edukim” po mbahen në Kolegjin AAB dhe do të zgjasin sot dhe nesër.

Në këto dy konferenca, po marrin pjesë rreth 100 hulumtues shkencorë nga vende të ndryshme të botës si: Australia, ShBA-të, Izraeli, Rusia, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Spanja, Çekia, Tajlanda, Pakistani, etj..

Share: