Përmes një ceremonie të veçantë, me pjesëmarrjen e ambasadorit japonez në Kosovë Sh.T Keisuke Yamanaka dhe bashkëpunëtorëve të tij, është hapur zyrtarisht Këndi Japonez në bibliotekën e Kolegjit AAB.
Rektori Blerim Olluri, përshëndeti kontributin që kanë dhënë të pranishmit në raportin që palët kanë gëzuar për vite të tëra, sidomos me rastin e donacionit të 200 librave nga “Nippon Foundation” për bibliotekën në vitin 2023, duke e cilësuar si mbështetje të madhe për studentët. Ai vlerësoi lidhjet me Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe me përfaqësuesit e saj për marrëdhëniet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit që kanë me institucionin tonë.
Ambasadori japonez Sh.T Keisuke Yamanaka, shprehu mirënjohjen e tij dhe falënderimet për krijimin e Këndit Japonez, dhe shtoi se donacioni shërben si ndihmë e nevojshme për arsimin në përgjithësi.
Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji, diskutoi me përfaqësuesit e ambasadës për mundësitë e shkëmbimit të studentëve nga Kolegji AAB në Japoni dhe anasjelltas, bashkë me zgjerim të bashkëpunimit me universitete të shumta nga ky shtet.
Në fund rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, ndau dy mirënjohje, njërën për ambasadorin japonez Yamanaka, si shenjë vlerësimi për mbështetjen dhe kontributin ndaj Kolegjit AAB, dhe tjetrën për Yōhei Sasakawa, kryetarin e “Nippon Foundation”, për donacionin e librave.