Në Kolegjin AAB fillon punimet konferenca ndërkombëtare “Mirëqenia në kohë sfiduese” me qindra prezantime dhe pjesëmarrës

16 Nëntor 2024

Në bashkëpunim me universitetet shqiptare dhe Shoqatën Sociologjike Shqiptare, ka nisur punimet konferenca ndërkomëbtare “Mirëqenia në kohë sfiduese (Wellbeing in challenging times)”. Hapja e konferencës u moderua nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, që vlerësoi pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmve duke theksuar rëndësinë e këtij organizimi.

Rektori Blerim Olluri, në fjalën përshëndetëse për pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e konferencës shprehu kënaqësinë që Kolegji AAB këtë vit është nikoqir i kësaj ngjarje, ndërsa përmendi angazhimet e institucionit në fushën e dijes dhe shkencës në vazhdimësi.

“Kjo konferencë për qëllim të mbledh universitetet shqiptare dhe Kolegjin AAB si nikoqir në këtë bashkëpunim dhe kërkim shkencor. Hulumtimi, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi në fushën e dijes dhe shkencës, janë aktivitetet më superiore të një universiteti dhe njëherësh edhe aktivitetet më impenjante dhe cilësore në një institucion të arsimit të lartë. Prandaj Kolegji AAB u kushton rëndësi të vecantë këtyre angazhimeve dhe këtyre eventeve”, tha Olluri.

Fjalë rasti në hapjen e konferencës patën edhe të ftuar të tjerë si Jacques Marion Kryetar i Federatës Universale të Paqes për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Jola Kepi Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Lidership Shkollor, Arbona Xhemajli prorektore për Kërkim Shkencor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Azeta Tartaraj zv/rektore për Kërkim Shkencor në Universitetin “Aleksander Moisiu” në Durrës.

Ata uruan që konferenca të sjell produkte dhe rezultate frytdhënëse për të gjithë audiencën dhe për bashkëpunime tjera kaq të rëndësishme edhe në të ardhmen.

Në ceremoninë hapëse të konferencës, drejtuesi i Shoqatës Sociologjike Shqiptare Lekë Sokoli, ndau disa çmime në emër të Komisionit të Vlerësimit të Kontributeve Akademike Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, si “Çmimi për partneritetin më të mirë”, “Çmime për përsosmëri në kërkim dhe praktikë” dhe “Çmimi: Ambasador i Paqes” për rektorin e Kolegjit AAB Blerim Olluri.

Share: