Prishtina International Theater Festival ka nisur rrugëtimin për edicionin e tetë, me një ceremoni speciale dhe numër të madh publiku.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Bernard Çobaj, si dhe shumë figura tjera publike.
Dashamirët e teatrit u përshëndetën në fjalën hyrëse të drejtorit të këtij festivali z. Zijad Mehic, i cili tha se “pret që këto ditë t’i kalojmë së bashku, duke parë shfaqje të veçanta”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, e cilësoi si vulosje punën e realizuar nga ekipi, për “diçka që paraqet më së miri realitetin, siç është teatri”.
“Puna juaj e vulos Kosovën si shtet kontribues, jo vetëm pjesëmarrës. Prania juaj tregon që republika jonë është mikpritëse për vendet që besojnë thellësisht në vlerat kulturore dhe të artit. Kontributi juaj i vlefshëm qëndron për testimin dhe kalitjen e realiteteve pa pasoja, gjë që teatri e bën më së miri”, tha kryeministri Kurti.
Pas ceremonisë u dha shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnje e Hercegovina, me regji të Dino Mustafić.