Është hapur zyrtarisht Panairi i Karrierës për Teknologji në Kolegjin AAB, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Aftësive Kompjuterike, organizuar nga Qendra e Karrierës. Në hapjen e këtij panairi morën pjesë studentët dhe stafi i Kolegjit AAB, ndërsa vizituan kompanitë e shumta që po marrin pjesë në këtë edicion.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi lart organizimin duke theksuar se përkon me zhvillimet teknologjike të cilat dominojnë në kohët e sotme, andaj kjo është mundësi e vlefshme për studentët.
“Teknologjia është forca shtytëse e zhvillimit në botën e sotme. Shkencat kompjuterike nuk janë thjesht një fushë studimi, janë mjeti që po formëson të ardhmen e njerëzimit. Ky panair është një dëshmi e fuqishme e përkushtimit tonë si institucion për t’u ofruar studentëve tanë mundësi ku ata mund të shfaqin shkathtësitë e tyre, idetë e tyre dhe të ndërlidhen me industrinë”, tha Olluri.
Ai falënderoi kompanitë pjesëmarrëse duke inkurajuar të gjithë që të reflektojnë mbi rolin që ka teknologjia në jetën tonë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Jusuf Qarkaxhija, përmendi rëndësinë që ky fakultet i ka kushtuar zhvillimit të pjesës teorike në praktikë me sukses, teksa shtoi se panairi do shërbej si hap për studentët që të qasen drejt tregut të punës, si dhe të njihen me kërkesat që kanë kompanitë teknologjike.