Në Kolegjin AAB është mbajtur një panel diskutimi për ndarjen e përvojave nga projekti Mobility Integration for Recognition (MORIN), në kuadër të “Erasmus Week”. Ky projekt është financuar nga programi Erasmus+ dhe ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të studentëve dhe njohjen e kredive (ECTS).
Paneli u hap nga profesori Aleksandar Takovski, koordinator i projektit MORIN, i cili foli për objektivat e projektit, bashkëpunimin rajonal me universitetet, rrjetëzimin dhe rezultatet e pritshme. Ai theksoi ndikimin e madh që ky projekt do të ketë në të ardhmen për mobilitetin e studentëve dhe njohjen e rezultateve akademike të fituara nëpër institucionet partnere.
Panelistët përfshinin Venera Llunji, Ersan Hamdiu, Shkëlqim Miftari, Aida Alla dhe Erëza Mehmeti, të cilët janë pjesë e stafit implementues nga Kolegji AAB. Ata ndanë përvojat e tyre personale mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare si MORIN, duke vlerësuar ndikimin që ky projekt ka në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe në përmirësimin e përvojës së studentëve.
Paneli u përmbyll nga Ilirjana Geci, Drejtoresha e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së stafit dhe studentëve në projekte të reja zhvillimore dhe njoftoi për disa iniciativa të ardhshme që do të realizohen në kuadër të Erasmus+. Ajo ftoi të gjithë të pranishmit të kontribuojnë me ide dhe iniciativa të reja për projekte të tjera në të ardhmen.