Në Kolegjin AAB promovohet libri “Kompetencat e mësimdhënësve për identifikimin dhe zhvillimin e talentit në muzikë” me autore profesoreshën Elizabeta Qarri

17 Maj 2024
In AAB College, the book "Teachers' competencies for the identification and development of talent in music" is promoted, authored by Professor Elizabeta Qarri.

Sot në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, është promovuar libri “Kompetencat e mësimdhënësve për identifikimin dhe zhvillimin e talentit në muzikë”, me autore profesoreshën e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Arteve Elizabeta Qarri.

Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji, foli në rolin e redaktores së këtij libri duke e vlerësuar së pari si ngjarje tejet të rëndësishme  promovimin e librit në Kolegjin AAB, ndërsa uroi profesoreshën Qarri për kontributin e dhënë dhe sjelljen e një vepre kaq të rëndësishme për fushën e arsimit në përgjithësi.

Recensenti i librit, profesor Valton Beqiri, u shpreh i nderuar që ndodhet në ambientin e Kolegjit AAB para studentëve, ndërsa shtoi se libri përbën rëndësi të madhe në fushën e arsimit dhe elementet brenda pasqyrohen detajisht nga autorja. Ai tha se edukimi muzikor ka vend të veçantë në zhvillimin dhe identifikimin e talenteve te fëmijët që nga mosha e hershme.

Kurse akademik Vasil S. Tole, në reçencën e tij për librin foli për trekëndëshin në qendër të këtij studimi nga profesoresha Qarri, që është edukimi muzikor dhe nxënësi. Ai ndër të tjera përmendi edhe pyetësorët e destinuar për mësimdhënësit dhe nxënësit që gjenden në fund të librit.

Profesori i Kolegjit AAB Xhavit Rexhaj, si panelist në këtë organizim solli një kënvdështrim tjetër të përshkrimit të librit bazuar në sugjerimet e autores, si identifikimi i modeleve efektive, përshtatja e kurrikulave me realitetin, strategjitë për nxënësit, nxitja e bashkëpunimit me nxënës, nxitja e nxënësve që të mendojnë dhe vetëvlerësojnë veprimtaritë e tyre etj.

Edhe poeti i mirënjohur njëherazi profesor Lulzim Tafa, uroi autoren duke shtuar se çdoherë kur del një libër i ri është gëzim për të gjithë, andaj për këtë falënderoi Qarrin dhe të gjithë të pranishmit e tjerë.

Autorja e librit Elizabeta Qarri, në një fjalë rasti tha se ndjehet e privilegjuar që është në mesin e të gjithë pjesëmarrësve dhe shpreson që ky libër të ketë ndikim pozitiv te mësimdhënësit dhe nxënësit.

“Me këtë libër është krijuar një fundament që studentëve do t’iu shërbej në këtë fushë, sidomos me pyetësorin që ndodhet për ta dhe mësimdhënësit në fund të librit. Falënderoj Kolegjin AAB për gjithçka që më ka dhënë, mbi të gjitha për mundësinë që të jem në mesin e njerëzve ku punohet dhe synohet fort”, tha profesoresha Qarri.

Share: