Në kuadër të projektit studentor “Një Ditë pa Internet”, të konceptuar dhe organizuar nga studentët e Fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB, është realizuar një aktivitet unik dhe frymëzues që ftoi studentët të përjetojnë një ditë të plotë pa internet, rrjete sociale apo ndërmjetësim teknologjik.
Ky projekt nisi me përgatitjen e një ankete, e cila u shpërnda para aktivitetit për të matur perceptimin dhe varësinë e studentëve nga interneti, për të kuptuar se sa shpesh ata përdorin pajisje digjitale dhe se si ndihen kur janë pa internet.
Plotësimi i anketës nga pjesëmarrësit ofroi të dhëna të vlefshme për të reflektuar mbi ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme.
Në ditën e aktivitetit, studentët iu përgjigjën ftesës për të lënë telefonat mënjanë, duke u angazhuar në një sërë lojërash dhe sfidash interaktive si letra, domino, gurë, ludo, pikado, ping pong dhe badminton.
Në vazhdim , studentët do të organizohen në një tryezë të rrumbullakët, duke ndarë përvojat, reflektimet dhe sugjerimet e tyre mbi një ditë pa internet. Të dhënat e mbledhura do të ndihmojnë organizatorët e projektit për të përgatitur një raport të detajuar mbi ndikimin e aktivitetit dhe mundësitë për projekte të ngjashme në të ardhmen.
Ky aktivitet nuk ishte thjesht një ditë loje, por një eksperiment edukativ dhe social, që rriti ndërgjegjësimin mbi varësinë digjitale, inkurajoi komunikimin fizik dhe bashkëpunimin, dhe krijoi një atmosferë të gjallë e të paharrueshme në komunitetin studentor të AAB.