Më 3 dhe 4 Shtator 2025, Fakulteti i Administratës Publike në Kolegjin AAB mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Kosova PAR 2025 me temën “Capacity in Public Administration: for or through AI?”, një ngjarje që mblodhi akademikë, ekspertë ndërkombëtarë, politika-bërës dhe profesionistë të administratës publike për të diskutuar mbi ndikimin dhe potencialin e Inteligjencës Artificiale (AI) në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e administratës publike moderne.
Konferenca, e zhvilluar në Prishtinë, Kosovë, nisi më 3 shtator me një ceremoni zyrtare hapjeje, ku Prof. Ass. Dr. Vrullim Buja, Dekan i Fakultetit të Administratës Publike, së bashku me Prof. Basri Muja, Prof. Albulena Brestovci dhe një grup studentësh përfaqësuan institucionin në nivelin më të lartë, duke dëshmuar përkushtimin e Kolegjit AAB për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes arsimit të lartë, institucioneve publike dhe transformimit digjital të administratës.
Në ditën e dytë, më 4 shtator, Fakulteti kontribuoi me panelin “The Impact of AI on Capacity-Building in Public Administration”, i udhëhequr nga Prof. Vrullim Buja dhe me bashkëpanelistë Prof. Donik Sallova dhe Prof. Lavdim Terziu, duke diskutuar mënyrat se si Artificial Intelligence mund të përdoret për të përmirësuar cilësinë e vendimmarrjes, modernizimin e shërbimeve publike, ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe promovimin e një qasjeje etike dhe transparente në qeverisje digjitale.
Me shembuj konkretë dhe përvoja nga konteksti lokal dhe ndërkombëtar, panelistët ofruan rekomandime praktike për politika-bërësit dhe administratorët publikë, duke siguruar që implementimi i AI-së të jetë përgjegjës, gjithëpërfshirës dhe efektiv në përmirësimin e qeverisjes.
Pjesëmarrja e Fakultetit të Administratës Publike në këtë konferencë dëshmoi jo vetëm një kontribut akademik, por edhe angazhimin e vazhdueshëm të Kolegjit AAB në krijimin e dijes, përgatitjen e liderëve të së ardhmes dhe zhvillimin e një administrate publike moderne, të aftë dhe inovative, të bazuar në integritet dhe vlera etike.
Ky aktivitet pozicionon Kolegjin AAB dhe Fakultetin e Administratës Publike fuqishëm në arenën ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, duke rritur prezencën e institucionit në ranking-et akademike dhe Webometrics, si dhe duke kontribuar në debatet globale për Artificial Intelligence, Digital Governance, Capacity Building dhe Ethical AI në administratën publike.