“Bëni hapa të vegjël, por të sigurt”, ishte një ndër mesazhet që gazetari i njohur Marin Mema ndau për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB. Bashkëbisedimin me gazetarin Mema, e drejtoi Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Venera Llunji. Mema i cili njihet për reportazhet, ciklin e dokumentarëve “Gjurmë Shqiptare”, emisionet dhe gazetarinë investigative në përgjithësi, rrëfeu ngjarje të shumta gjatë krjimit të episodeve të ndryshme, duke filluar nga sfidat, përballjet dhe deri tek efekti që ato patën në shoqërinë shqiptare.
Për gazetarët e rinj ai dha mesazhe që ndërlidheshin me respektimin e etikës gazetareske, konfirmimin e burimeve, vërtetësinë e lajmeve, raportimin nga terreni dhe mbi të gjitha ruajtjen e profesionalizmit. Studentët parashtruan pyetje për Marinin, me theks tek fillet e tij në gazetari, idetë për emisionet, qasjen në dokumente dhe arkiva shtetërore, gazetarinë në ditët e sotme etj.
Gazetari Mema, e realizoi këtë ligjëratë me ftesë të Dekanit të Fakultetit Komunikim Masiv Gazmend Abrashi.