Gjatë një vizite zyrtare në University of Caen në Francë, përfaqësuesja e Zyrës së Projekteve të Kolegjit AAB, Erëza Mehmeti, prezantoi progresin e projektit MORIN – Mobility Recognition for Integration, një iniciativë e financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+ .
Projekti MORIN synon të forcojë kapacitetet e institucioneve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor për njohjen akademike të mobilitetit të studentëve, duke u bazuar në rezultatet e të nxënit si një qasje pedagogjike inovative. Kjo përfshin transparencën e kurrikulës, krahasueshmërinë dhe fleksibilitetin për përmirësimin e procedurave të njohjes dhe transferimit të studimeve, si dhe rishikimin e përmbajtjes së kurseve, metodologjive dhe vlerësimeve për të siguruar një mësimdhënie të orientuar drejt studentit dhe të bazuar në aftësi .
Prezantimi në Caen shërbeu si një mundësi për të ndarë arritjet, sfidat dhe rezultatet e deritanishme të projektit, si dhe për të diskutuar hapa të mëtejshëm drejt përmbushjes së objektivave të tij. Kolegji AAB vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm në nisma ndërkombëtare për zhvillimin e arsimit të lartë cilësor dhe gjithëpërfshirës në rajon.