Prej tri vitesh, studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB japin kontributin e tyre në mësimdhënien e gjuhës angleze falas te fëmijët e Fshatit SOS. Prej këtij programi profesional vullnetar përfitojnë 100 fëmijë të cilët kanë nevojë për mbështetje sociale dhe financiare. Mësueset vullnetare fillimisht i nënshtrohen një trajnimi disa javësh në lidhje me metodologjinë e mësimdhënies.
Sot u mbajt ceremonia e dhënies së çertifikatave të studenteve, të cilat u falenderuan përzemërsisht nga përfaqësues të Fshatit SOS, drejtoresha Ora Bytiçi dhe koordinatorja e programit Hana Shala. Disa prej vullnetareve folën për eksperiencat e tyre me fëmijët në Fshatin SOS dhe e konsideruan programin “Anglishtja nga Unë te Ti” si një ndër aktivitetet që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Dekanati i fakultetit u zotua se kjo traditë do të vazhdojë edhe vitin tjetër me një mbështetje edhe më të madhe.